Aplikacion
Aksioni i urdhëruar nga SPAK është zhvilluar në kuadër të një hetimi për kontratën e terminalit të kontenierëve, e cila për koinçidëncë përfundoi pikërisht një ditë më parë.
Ngarkim-shkarkimi i kontenierëve të mallrave është një nga bizneset më të mëdha në Portin e Durrësit. Në vitin 2013, qeveria e atëhershme e Partisë Demokratike e konçesionoi shërbimin tek kompania turke Kurum. Por për shkak se turqit nuk respektuan kontratën, në fund të vitit 2017, ish ministri i atëherëshëm i Infrastrukturës Damian Gjiknuri e anulloi koncesionin.
Në vitin 2021, Autoriteti Portual e privatizoi sërish shërbimin, këtë herë përmes një koncesioni të fshehë. Përmes një tenderi, APD e kaloi shërbimin e operimit të terminalit të kontenierëve tek një kompani private nga Malta e quajtur Hili Limited, e cila krijoi për këtë qëllim shoqërinë Mariner Adriatic. Sipas kontratës, kompania do të kryente për një periudhë 5 vjeçare shërbimin e ngarkim-shkarkimit të kontenierëve dhe në këmbim Autoriteti Portual do t’i paguante asaj një shifër prej 31 milionë eurosh.
Zyrtari që nënshkroi kontratën ishte drejtori i atëhershëm i APD, Pirro Vengu, i cili aktualisht mban postin e ministrit të Mbrojtjes në kabinetin qeveritar të Edi Ramës. Burime i thanë Kapitalit se në qendër të hetimeve të SPAK është pikërisht roli i Vengut.
Dyshime për abuzim
Në dokumentat e tenderit për dhënien tek privati të shërbimit të kontenierëve, Autoriteti Portual kishte vendosur si detyrim se kompania fituese duhet të siguronte me fondet e veta, një sërë pajisjesh të domosdoshme për kryerjen e shërbimit, përfshirë 3 vinça të tonazhit të lartë, 6 reach stakera dhe 2 lefterakë.
Por pas zhvillimit të tenderit dhe shpalljes fituese të Hili Limited, kushtet dyshohet se u ndryshuan dhe kostot e blerjes së pajisjeve ju ngarkuan Autoritetit Portual duke favorizuar kompaninë malteze, pasi të vetmet asetet që ajo duhet të sillte iu ngarkuan publikut.
Terminali i kontenierëve është një nga koncesionet më fitimprurëse të Portit. Vitin e kaluar, Mariner fitoi 1.2 milionë euro pas taksave, ndërkohë që regjistroi një xhiro prej gati 10 milionë eurosh. Praktikisht kontrata e operimit të kontenierëve privatizoi të gjithë fitimin e Portit të Durrësit, i cili tashmë ka vështirësi financiare.
Kontrata mes Autoritetit Portual dhe kompanisë ka përfunduar zyrtarisht një ditë më parë. Edhe pse ajo lejonte opsionin e shytrjes me 20 për qind, Autoriteti Portual dhe ministria e Infrastrukturës nuk kanë pranuar ta zgjasin, për shkak se kanë ndier presionin e hetimeve të SPAK.
Kallëzimi penal për tenderin e menaxhimit të kontenierëve në Portin e Durrësit është bërë tre vjet më parë nga deputeti demokrat Gazment Bardhi. Por tashmë hetimet kanë hyrë në një fazë të avancuar. Më parë, hetuesit e SPAK kishin marrë në pyetje anëtarët e Komisionit të Vlerësimit të Ofertave të këtij tenderi, Alket Bedini, Rafael Rexha, Besian Hereni dhe Endri Sofija. Ndërsa tani hetuesit kanë shkuar më tej duke sekuestruar dokumentacion.
Cështja e pajisjeve është thelbi i hetimeve të SPAK dhe në fokusin e prokurorëve është roli i Pirro Vengut, i cili sipas burimeve, ndodhet në një pozitë jo fort komode në raport me hetimet./Kapitali.al
Të kërkuar për masakrën e Dobraçit, vetëdorëzohen në polici Izmir Sakica dhe Samuel Troshani