Aplikacion
Beqaj është marrë zyrtarisht i pandehur për “korrupsion”, “shkelje të barazisë në tendera”, “falsifikim të dokumenteve” dhe “fshehje e mosadeklarim të pasurisë”.
Ndërkohë bëhet e ditur se Beqajt i janë komunikuar akuzat në ambientet e Prokurorisë së Posaçme.
Në fillim të muajit korrik të vitit 2024, ish-ministri Ilir Beqaj, u arrestua me dyshimet se ishte përfshirë në korrupsion dhe fshehje të pasurisë gjatë kohës kur drejtonte agjencinë SASPAC, e cila koordinon fondet e Bashkimit Europian në vendin tonë.
Bashkë me të, nën hetim u morën edhe 6 persona të tjerë, 2 prej tyre të arrestuar, 4 në masa më të buta sigurie.
Sipas SPAK, ata dyshohen se kanë abuzuar me fondet e Bashkimit Europian me të paktën 8 procedura tenderuese, duke u dakordësuar për fituesin dhe më pas kryer në mënyrë fiktive procedurën për efekt dokumentacioni, si edhe kanë bërë manovra dokumentare, për të fshehur lidhjet e Beqajt dhe Kurtulajt me restorantin në zonën e Kalasë në kryeqytet.
Po ashtu, në 23 janar, Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka kaluar për gjykim dosjen hetimore për “Sterilizimin”, ku të pandehur janë marrë ish-ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqja, ish-zëvendësi i tij, Klodian Rrjepaj dhe biznesmeni Ilir Rrapaj.
Gjykata pranoi rikualifikimin e akuzës për Beqajn, të cilit iu ndryshua nga “shpërdorim detyre”, në “vjedhje duke shpërdoruar detyrën”, në kuadër të “grupit të strukturuar kriminal”.
Ish-ministri do të gjykohet në proces normal, ndërsa gjykim i shkurtuar është vendosur për ish-zv.ministrin Klodjan Rjepaj dhe biznesmenin Ilir Rrapaj.