Aplikacion
Kjo u pa si zgjidhje për problemin që drejtësia kishte pasur gjatë këtyre viteve me të tretët, të cilët, nëse kontrollonin drejtuesin, kishin në kontroll çdo hallkë tjetër.
Nëpërmjet pushtetit, parasë, influencave, palë të treta e kishin më të lehtë të luanin me rezultatet e drejtësisë.
Por 7 vjet nga hyrja në fuqi e reformës dhe 4 vjet nga vënia në funksion e gjithë paketës së saj, pikëpyetja e madhe është nëse ishte sistemi gati për këtë liri të individit dhe a ka sjellë liria e prokurorit dhe gjyqtarit më shumë drejtësi, a e ka bërë ajo drejtësinë më funksionale?
Drejtësia po has probleme edhe me individin e sistemit të saj, si në rastin e Strukturës së Posaçme Antikorrupsion, SPAK.
SPAK është kthyer në një ishull të sistemit. Prokurorët e tij vendosin vetë mbi fatet e një hetimi, një dosjeje, një zyrtari apo një individi të dyshuar dhe nuk japin llogari.
KUSH E KONTROLLON SPAK?
Ndërsa demokracia funksionon mbi balancën e pushteteve dhe një mekanizmi kontrolli të institucioneve, SPAK duket jashtë këtij mekanizmi.
Aktualisht, institucionet e dala nga Reforma në Drejtësi, si edhe sistemi gjyqësor në çdo shkallë të tij, kontrollohen dhe inspektohen nga Inspektori i Lartë në Drejtësi, ILD. Por SPAK ka në kompetencë t’i hetojë të gjithë ata!
Hetimi i SPAK nuk është administrativ, as etik apo profesional, por penal.
Nga ana tjetër, mekanizmi më i fortë kontrollues i SPAK ndodhet në varësinë e vetë SPAK, në Byronë Kombëtare të Hetimit. Dhe ligji është kujdesur që në varësi të Prokurorisë së Posaçme të mos jetë vetëm BKH, por edhe vetë mekanizmi.
Neni 42, i ligjit që përcakton rregullat dhe detyrat për organet e ngritura për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar, ngarkon Byronë Kombëtare të Hetimit me detyrën e kontrolleve periodike të llogarive bankare dhe komunikimeve telefonike të prokurorëve të SPAK dhe gjyqtarëve të posacëm.
Por si bëhet kjo mbikëqyrje? Ligji ia ka ngarkuar këtë detyrë dy agjentëve të BKH-së, të përzgjedhur me short për një afat prej 6 muajësh. “Dy hetues emërohen me short për një mandat gjashtëmujor si oficer përgjegjës për monitorimin. Ky mandat nuk mund të përsëritet dy herë brenda një viti. Drejtori i Byrosë Kombëtare të Hetimit, në prani të Drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme dhe Kryetarit të Gjykatës së Shkallës së Parë kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, bën përzgjedhjen me short”, shkruhet në ligj.
Dy pika të tjera të këtij neni shpjegojnë se si njëri nga hetuesit “kryen vëzhgimin periodik të telekomunikimeve të kryetarëve, gjyqtarëve dhe punonjësve të gjykatave kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, drejtuesit, prokurorëve dhe punonjësve të Prokurorisë së Posaçme, Drejtorit, Zëvendësdrejtorit dhe hetuesve të Byrosë Kombëtare të Hetimit, oficerëve të shërbimeve të Policisë Gjyqësore, si dhe punonjësve të Byrosë Kombëtare të Hetimit. Oficeri përgjegjës nuk ka përgjegjësi të tjera hetimore apo administrative”.
Ndërsa hetuesi i dytë, kontrollon vëzhgimin periodik të kryer nga Drejtoria e Përgjithshme e Parandalimit të Pastrimit të Parave për të njëjtët subjekte.
Por sipas të njëjtit ligj, për të monitoruar punën e dy hetuesve të BKH-së, me short përzgjidhet edhe një prokuror i SPAK.
“Çdo muaj, një prokuror i posaçëm përzgjidhet me short për të shërbyer si prokuror i posaçëm i gatshëm. Prokurori i posaçëm i gatshëm drejton, kontrollon dhe monitoron oficerin përgjegjës në detyrë. Oficeri përgjegjës raporton çdo informacion që ngre dyshime të arsyeshme për veprimtari korruptive apo kriminale te prokurori i posaçëm i gatshëm. Nëse ekziston dyshimi i arsyeshëm se prokurori i posaçëm është i përfshirë në veprimtarinë kriminale, atëherë oficeri përgjegjës i raporton cilitdo prej prokurorëve të posaçëm në Prokurorinë e Posaçme, i cili duket se nuk është i përfshirë në veprimtarinë e dyshimtë”, shkruhet në pikën 5 të këtij neni.
Në çdo rast të dyshimeve për përfshirje në vepra penale që mund të ngrihen ndaj një anëtari të Strukturës së Posaçme, ajo referohet po brenda Strukturës së Posaçme dhe vetëm në rastet e shkeljes së etikës tek Inspektori i Lartë i Drejtësisë.
Kështu, SPAK kontrollon vetë kontrollin që i bëhte atij, por edhe gjyqtarëve të posaçëm, të cilët për herë të parë krijojnë një formë marrëdhënie “varësie” nga prokurorët, ndryshe nga çfarë thotë ligji.
A PO E DËMTON MUNGESA E KONTROLLIT REFORMËN NË DREJTËSI?
Juristët e shikojnë lirinë e dhënë SPAK, si një thikë me dy presa, e cila ka prodhuar edhe intimidimin e gjyqtarëve të posaçëm, apo çdo institucioni tjetër që ka në dorë të kontrolloj veprimtarinë e Strukturës së Posaçme.
Opinion publik, që ka pritur nga SPAK të çojë përpara drejtësisë njerëzit e pushtetshëm dhe të hedhë dritë mbi aferat më të përfolura korruptive, si inceneratori i Tiranës, Porti i Durrës, Aeroporti i Tiranës, koncesionet dhe PPP-të në shëndetësi, tenderat miliona eurosh pa garë, pastrimin e parave të pista në kullat e Tiranës, korrupsionin zgjedhor, patronazhistët etj, po sheh se si SPAK nuk po bën thuajse asgjë në këtë drejtim.
Në të kundërt, ka dyshime të forta se prokurorë të caktuar të kësaj strukture po përdoren politikisht ose nga grupe me interesa të mëdha ekonomike. Në këtë mënyrë, ky do të ishte minimi më i madh që i bëhet Reformës në Drejtësi.
Arsyeja që aferave të mëdha nuk u shkohet deri në fund ose për ta nuk nisën fare hetimi? Sikundër nuk po i jep llogari asnjë institucioni, SPAK me gjasë ka kuptuar se nuk ka përse t’i japë llogari as publikut. Tek e fundit kush mund t’i lëvizë prokurorët e SPAK nga detyra derisa t’u përfundojë mandati? /Zoom.al