Aplikacion
Ato do t’i hapin rrugë formimit të Qeverisë së re nga partia fituese, e cila do të arrijë të sigurojë 61 votat e nevojshme për formimin e ekzekutivit të ri.
Dilema mbetet nëse të mërkurën do të arrihet të zgjidhet presidenti i shtetit, pasi ka një prag zgjedhor prej 40 për qind të daljes në votime.
Bazuar në rundin e parë të zgjedhjeve, më 24 prill, kur në garë ishin shtatë kandidatë, në zgjedhje dolën rreth 49 për qind e 1.8 milion qytetarëve me të drejtë vote.
Të mërkurën, në garë janë dy kandidatë, fituesja e rundit të parë, Gordana Silanovska-Davkova që fitoi 363.000 vota dhe presidenti aktual, Stevo Pendarovski, me 180 mijë vota.
Që të zgjidhet presidenti i ri, në zgjedhje duhet të dalin rreth 750.000 votues, apo në zgjedhje të dalin votuesit e kandidatëve që u eliminuan në rundin e parë.
Por, deri tani asnjëri prej tyre nuk ka dalë publikisht t’u bëjë thirrje votuesve të tyre që të dalin në zgjedhje duke ngritur dilemën nëse zgjedhjet do të arrijnë pragun kushtetues.
Nga kandidatët shqiptarë, më shumë vota në rundin e parë mori Bujar Osmani nga Fronti Evropian i kryesuar nga Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI), gjithsej 120.000 vota. Ndërsa, Arben Taravari nga koalicioni opozitar VLEN, mori 83 mijë vota.
BDI-ja publikisht nuk ka dalë me qëndrim nëse do të mbështesë ndonjërin kandidat apo do të bëjë ftesë për bojkot, por eksponentë të saj, në rrjetet sociale në vazhdimësi kanë bërë thirrje që më 8 maj të bojkotohen zgjedhjet presidenciale.
Edhe nga koalicioni VLEN nuk kanë bërë thirrje për dalje në votime për zgjedhjen e presidentit, por bazuar në qëndrimet e drejtuesve të saj, dhe takimit të 6 majit të Arben Taravarit me kreun e VMRO DPMNE-së, Hristijan Mickoski, si edhe qëndrimeve të eksponentëve të saj në rrjetet sociale, atëherë votuesit e saj mund të dalin në votime për zgjedhjen e presidentit.
Por, që zgjedhjet të mos dështojnë, nevojitet që në zgjedhje të dalin edhe anëtarët e katër kandidatëve të tjerë, në veçanti të Maksim Dimitrievskit, i cili arriti të fitojë rreth 84.000 vota.
Nëse zgjedhjet dështojnë, atëherë mandatin partisë fituese të zgjedhjeve parlamentare do t’ia ndajë kryetari në detyrë i Kuvendit, Jovan Mitrevski, dhe më pas të nisin procedurat për zgjedhje të reja presidenciale.
Por, përsëritja e zgjedhjeve për kreun e shtetit do të organizohej nga Qeveria e re, e cila sipas kreut të opozitës maqedonase, Hristijan Mickoski, do të përbëhet nga VMRO DPMNE-ja dhe koalicioni opozitar shqiptar VLEN.
Mickoski, më 6 maj, ka vizituar shtabin e opozitës shqiptare në Shkup për të promovuar koalicionin e ri qeveritar, ndërsa disa orë më vonë Taravari tha se për Qeverinë e re tashmë është rënë dakord.
“Me besë premtoj se unë dhe të gjithë përfaqësuesit e VLEN-it kur të bëjmë qeverinë, dy-tri ditë pas zgjedhjeve, do të vrapojmë edhe më fuqishëm sesa në fushatë. Nuk do të rehatohemi nëpër kolltukë duke rregulluar e duke shtuar dyert e shtëpive tona, por do të punojmë për dyert tuaja që ne i hapëm edhe pa trokitur”, ka deklaruar Arben Taravari në Tetovë në tubimin e fundit të koalicionit VLEN.
Nga BDI-ja pohimet e Taravarit i kanë quajtur “përralla me mbret” pasi kreu i BDI-së, Ali Ahmeti thotë se Qeveria formohet nga partitë fituese të zgjedhjeve në kampin shqiptar dhe maqedonas.
“Sot është koha që të përcaktohemi drejt me platforma mirë të përpiluara, të hartuara mirë, sepse më 9 maj të gjithë duhet të mendojmë, pavarësisht edhe të tjerëve që thonë se ky hyn, ai del nga qeveria. Këto janë ‘përralla me mbret’, sepse Qeverinë dhe institucionet i bëjnë ata që e kanë mbështetjen e popullit, sepse populli të zbret-populli të ngritë”, ka deklaruar Ahmeti.
Në Maqedoninë e Veriut deri në vitin 2017 qeveritë janë formuar nga partitë fituese shqiptare dhe maqedonase, pavarësisht orientimeve të tyre programore.
Bashkimi Demokratik për Integrim, ka qenë pjesë e Qeverisë, si me LSDM-në, ashtu edhe me VMRO DPMNE-në që fitonin zgjedhjet tek elektorati maqedonas.
Ky rregull ka vazhduar deri në vitin 2017 kur Qeveria u formua nga LSDM-ja, edhe pse i kishte humbur zgjedhjet tek elektorati maqedonas.
Ajo arriti të përbëjë shumicën parlamentare me votat e partive shqiptare dhe të formojë Qeverinë duke larguar nga pushteti VMRO DPMNE-që drejtohej nga Nikolla Gruevski./REL