zoom

Lajme

Sot rikthehet magjia Champions, spikat Real-City. Reagimet për çerekfinalet dhe shanset

Magjia e Champions league rikthehet sot me dy takimet e para të çerekfinaleve (vajtjet) dhe të gjithë janë me sytë nga supersfida dhe finalja e parakohëshme Real Madrid-Manchester City.

Kjo përballje është maksimumi që mund të ofronte Champions League në këtë fazë, një super sfidë që premton emocione. Është e vështirë të flasësh për favoritë në një përballje të tillë, ku diferenca mes dy ekipeve është e vogël. Teksa në takimin tjetër pritet një tjetër “zjarr”, pasi do përplasen Bayern Munich-Arsenal. Takimet e kthimit luhen javën e ardhshme dhe cila kalon nga skuadrat ndeshet në gjysmëfinale me tjetrën.

Të mërkurën luajnë PSG-Barcelona dhe Dortmund-Atletico Madrid dhe skuadrat fituese kryqëziohen mes tyre në gjysmëfinale.

Por çfarë thonë protagonistët? Për Ancelottin, diferencën do ta bëjë gjendja mentale:

“Aspekti mental është i rëndësishëm. Duhet të kemi guxim dhe personalitet në fushë. Kam shumë besim se do të japim maksimumin, kemi mjaftueshëm cilësi për të konkurruar. Çfarë kam mësuar nga një vit më parë? Që luajtëm pa personalitet dhe guxim, sigurisht mungoi edhe goli”, u shpreh Ancelotti duke u ndalur më pas te disa individë si Vinicius Jr:

“Në këtë sfidë do të jenë përcaktues lojtarët me më shumë cilësi. Janë shumë lojtarë nga të dy ekipet që kanë cilësi të lartë. Bellingham? Është një lojtar fantastik, ndodhet gjithnjë në vendin e duhur, edhe në zonë. Fizikisht është shumë i fortë, është shumë i pjekur edhe pse 20 vjeç. Është shumë profesionist, më befason, por jo si lojtar, por si person”, theksoi ndër të tjera Ancelotti i cili nuk preferoi të zbulojë asgjë në lidhje me formacionin që do të sfidojë Man.City.

Me emocion e pret edhe Pep Guardiola këtë përballje:

“Kemi një avantazh të lehtë, ndeshja e kthimit do të luhet në fushën tonë, aty ku e dimë që jemi shumë të fortë. Të thyesh Real Madrid është e vështirë, ta bësh diçka të tillë si një vit më parë është thuajse e pamundur. Objektivi ynë nuk është të vijmë këtu dhe të kontrollojmë ndeshjen, duhet të përpiqemi të ndëshkojmë Realin, t’i shënojmë gol. Këtu te Man.City nuk mjafton që të fitosh vetëm një herë Champions League”, u shpreh ndër të tjera Pep Guardiola në konferencë për shtyp.

Ndërsa trajneri i Arsenalit, Arteta iu përgjigj pyetjeve të gazetarëve në prag të ndeshjes së vlefshme për Champions ndaj Bayern.

“Po e shijojmë vërtet momentin, jemi aty ku do të donim të ishim si në kampionat dhe Champions League. Përpara nesh kemi një nga klubet me më shumë trofe në Europë, mezi pres të kapërcejmë këtë lloj pengese. Unë jam një admirues i madh i Tuchel, për mënyrën e tij të lojës dhe si u transmeton skuadrave konceptin e tij për lojën. Kam mësuar shumë prej tij. Jemi përgatitur dhe duhet të luajmë lojën tonë, nëse ia dalim kemi një shans për ta fituar”, tha ai.

Por situata te Bayern nuk është aspak e mirë. Bavarezët janë dorëzuar në luftën për titullin kampion në Gjermani, ndërsa si dritare shpëtimi shihet vetëm Champions League.

Lajme të rëndësishme në orët e fundit vijnë për gjigandët e Bundesligës. Trajneri Tomas Tuchel konsiderohet si fajtor për rezultatet negative dhe në rast disfate ndaj Arsenalit në Champions, ai do shkarkohej menjëherë. Në rast lamtumire, Miroslav Klose është gati për të drejtuar ekipin deri në fund të vitit. Kjo zgjedhje emergjente shihet si e duhura për klubin, teksa kanë mbetur vetëm pak takime deri në fund të sezonit futbollistik.

Kurse gjatë intervistës së dhënë për AS, Marco Asensio, sulmuesi i Paris Saint-Germain, tregoi këndvështrimin e tij për ndeshjen e së mërkurës kundër Barcelonës në Champions.

“Eliminoni Barçën për t’i bërë një nder Realit? Epo, favori i parë do të ishte për ne. Ne jemi ata që duam të kalojmë, jemi entuziastë dhe tashmë po përgatitemi për garën. E kemi ndeshjen e parë në shtëpi, do të jetë e rëndësishme të marrim një rezultat të mirë, tifozët tanë do të na mbështesin. Jemi të emocionuar, po vijnë muajt kur mund të fitojmë tituj”, tha Asensio, i cili më parë ka luajtur për Realin. /ZOOM.AL/