zoom

Politikë

Sot Kuvend, Rama interpelancë me Alibeajn për çështjen e zyrtarit të FBI-së

Ditën e sotme pritet të ketë debate në Kuvend, pasi kryeministri Edi Rama do të ‘përballet’ me opozitën sa i takon çështjes së zyrtarit të FBI-së, Charles McGonigal.

Kreu i Grupit të PD, Enkelejd Alibeaj ka kërkuar një interpelancë urgjente me kreun e qeverisë, megjithëse ende nuk dihet nëse ky i fundit do të marrë pjesë apo do t’ia delegojë atë ndonjë prej anëtareve të kabinetit qeveritar.

Përpos interpelancës së Alibeajt, deputetët e Sali Berishës kanë depozituar në Kuvend një kërkesë për mocion me debat pa limit kohor për të diskutuar mbi çështjen e McGonigal. Mbetet për t’u parë nëse Kuvendi do ta fusë në rend dite këtë kërkese të tyre apo të vijohet vetëm me interpelancën urgjente.

Në kërkesën e grupit të Rithemelimit, vihet re se mungon firma e Sali Berishës, ndërsa ai është përjashtuar për 10 ditë nga Kuvendi pas kaosit që shkaktoi seancën plenare të javës së kaluar. Ndonëse është përjashtuar, Berisha tha një ditë më parë se në seancën e sotme do të bëjnë betejë në parlament, duket se nënkupton se nuk do të mungojë sot.

Kërkesa e grupimit të Berishës është e dyta, pasi në seancën e kaluar plenare, kërkesa e tyre u rrëzua. Opozita ka akuzuar në bllok Ramën se ka lobuar përmes zyrtarit të FBI-së kundër saj.

Ish-agjenti i lartë i FBI-së Charles McGonigal po përballet me dy akuza në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, një në Nju Jork dhe një në Uashington D.C., ku në rastin e parë akuzohet se ka ndihmuar Oleg Deripaska, një oligark rus nën sanksione, me qëllim që të hiqet nga lista e biznesmenëve të sanksionuar nga qeveria e Shteteve të Bashkuara.

Akuza tjetër lidhet me 2 shqiptarë, pasi zyrtari i lartë i FBI, po hetohet për marrjen 225 mijë dollarëve nga shqiptaro-amerikani Agron Neza, ish agjent shqiptar i inteligjencës, dhe mosdeklarim të tij, për të cilin ky i fundit pretendon se ia ka dhënë borxh.