zoom

Lajme

Sot caktohet finalisti i parë i Champions, a do i përmbysë PSG-ja e sheikëve gjermanët e Dortmund

Sot luhet përballja e parë e ndeshjeve të kthimit, të Gjysmëfinaleve të Champions League, PSG-Dortmund, kurse nesër finalja e parakohëshme Real Madrid-Bayern Mynih.

Të përmbysësh një humbje 1-0 në “Parkun e Princave”, në letër nuk është e pamundur për PSG. Fundja ekipi i Luis Enriques e bëri diçka të tillë kundër blaugranave, për më tepër brenda në Barcelonë, por ky diskutim mbetet në letër.

Fakt është që Borusia Dortmund ndodhet në Paris sot me një bonus të rëndësishëm, fitorja 1-0 në sfidën e parë i jep më shumë besim për të synuar finalen e madhe të Champions League. 11 vite më pas, Dortmund ëndërron të rikthehet sërish në një finale, sërish në Londër.

Ekipi i Terzic vjen në këtë përballje më të qetë pasi fal këmbëve të tyre siguruan një vend në Champions sezonin e ardhshëm, ndërsa në kampionat shpërthyen këtë fundjave me një fitore me “manita” përballë Augsburg.

Të qetë dhe me një trofe në “xhep” vjen edhe PSG në këtë ndeshje kthimi. Pasi fituan titullin në Francë, Ligue 1 i bëri një dhuratë ekipit të Luis Enriques duke i lënë pushim këtë fundjavë, në mënyrë që të ishin në kushte perfekte. Kjo është një përballje, ku tifozët e PSG shpresojnë të shohin Kylian Mbappe në versionin e tij më të mirë, në sfidën e parë ylli francez u ndal te shtylla. Enrique duhet të bëjë edhe në këtë takim pa shërbimet e Lucas Hernandez, me anësorin francez i cili iu nënshtrua një ndërhyrje kirurgjikale pasi këputi ligamentet e gjurit të majtë.

Ashtu si në takimin e parë, edhe në këtë sfidë PSG shihet favorit nga kompanitë e basteve, një sukses i mundshëm i tyre vlerësohet me koeficientin 1,45. /ZOOM.AL/