zoom

Ekonomi

Socialistët miratojnë ligjin për bastet online. Braçe me rezerva

Komisioni parlamentar për Ekonominë dhe Financat miratoi të martën ndryshimet ligjore për rikthimin e basteve sportive online, 5 vite pasi ato u ndaluan me ligj, por lulëzuan në ilegalitet.

Propozimet fillestare të qeverisë për ndryshime në ligjin për “Lojërat e fatit” pësuan ndryshime gjatë 4 muajve diskutim në këtë komision dhe pas konsultave mes Kuvendit dhe ministrisë së Financave.

Ndryshimet u miratuan vetëm me votat e deputetëve të PS-së, por deputeti Erjon Braçe shfaqi rezerva për disa nga nenet dhe për mospërfshirjen e kategorive të personave që u ndalohet të luajnë.

Ai propozoi që të ndalohen të luajnë presidentët e federatave të çdolloj sporti dhe vetë lojtarët e sporteve. “Në të gjithë sportet të ndalohen drejtuesit dhe lojtarët”- tha ai duke shtuar se nëse nuk ndodh kjo, atëherë “komprometohet gara”.

Por kryetari i komisionit Eduart Shalsi sqaroi se nuk ishte arritur dot një formulim juridik nga grupi teknik i punës për kadegoritë që duhej të ndaloheshin. “Cënonte disa liri, mund të diskriminonim një kadegori tjetër”- tha ai duke shtuar se lista e atyre që duhej të ndaloheshin dilte shumë e gjatë dhe s’mund të futej në ligj.

Por, Braçe këmbënguli se, “nuk është diskriminim të ndalosh presidentin e FSHF të luajë baste, është detyrë”.

Neni përkatës përcakton ndalimin për të luajtur të gjitha llojet e lojërave të fatit vetëm për nëpunësit e Autoritetit Mbikëqyrës të Lojërave të Fatit (AMLF)  dhe anëtarëve të Komisionit të Liçencave.

Ndryshimet e draftit fillestar të qeverisë përfshijnë vendosjen e kritereve kushtëzuese për të marrë pjesë në garë dhe përzgjedhja e fituesve do të bëhet në një garë në formë ankandi.

“Subjekti aplikues ose, të paktën, njëri prej aksionarëve të tij të ketë përvojë në fushën e lojërave të fatit në jo më pak se 3 shtete të BE/OECD dhe për jo më pak se 3 vjet. Nëse përvojën në fushën e lojërave të fatit e ofron njëri prej aksionarëve të subjektit aplikues, ai duhet të zotërojë jo më pak se 30 % të aksioneve në shoqëri”- thuhet në nenin përkatës.

Një pikë e re u shtua në lidhje me kontrollin e shtetit mbi veprimtarinë e kompanisë konçensionare që  ka ndërtuar dhe mirëmban sistemin qëndror të monitorimit online. Ky kontroll do të bëhet nga Komisioni i Liçencave nëpërmjet auditimit.

Ndryshime u bënë dhe në nenet për normën e fitimit të lojtarëve të llotarive kombëtare që nga 80 për qind u ul në “jo më pak se 50 për qind”.

Drafti do të kalojë për votim në seancën plenare të enjten ndërkohë që kryetari i Komisionit Eduart Shalsi ritheksoi nevojën e hartimit të një ligji të ri për lojërat e fatit elektronike për të formalizuar më tej tregun.

Ky projektligj është kundërshtuar nga opozita si një rrezik potencial për pastrimin e parave, ndërsa  shoqata e basteve shprehu rezerva për lënien jashtë sektorit të kompanive të vjetra që kanë operuar në këtë treg.

Me anë të ligjit të ri qeveria tenton t’a formalizojë aktivitetin e basteve pasi pranoi se nuk e ka kontrolluar dot funksionimin e tij në mënyrë të paligjshme gjatë kësaj periudhe./BIRN