zoom

Aktualitet

Skema/ Si u përfshi Rezart Taçi në pastrimin e parave

Gushtin e vitit të kaluar, SPAK njoftoi prokurorinë e Palermos se kishte bllokuar një llogari të hapur nga një biznesmen italian në një bankë greke në Tiranë, me një shumë prej 19 milionë eurosh.

Paratë ishin të Francesco Zummo, një sipërmarrës 90-vjeçar nga Palermos, i hetuar disa herë dhe mik ish-kryetarit të bashkisë së Palermos, Vito Ciancimino, të lidhur me mafian.

Ato kishin kaluar në Tiranë nga një institucion kreditues zviceran. Prokuroria e Palermos nis hetimet dhe përgjimet zbardhin gjithë skemën, në të cilën ishte përfshirë edhe djali i tij, Ignazio.

Zummo po bashkëpunonte me një kontabilist nga Palermo, Fabio Petruzzella që jetonte në Milano, me shtetasin Daniele Castagalli. Petruzzella kishte njohur në Milano biznesmenin shqiptar Rezart Taçi. Ai i kishte marrë përsipër ta ndihmonte për të hapur llogarinë prej 19 milionë eurosh që i duheshin Francesco Zummos për t’u zhdukur nga Italia.

Taçi, ish –pronar i ARMO-s, një kompani që kishte akumulaur mbi 600 milionë euro boxhe, fut në lojë dy miqtë e tij në Shqipëri, Artur Balla dhe Bledar Lilo.

SPAK nuk ka zbardhur ende rolet e secilit prej tyre, por Taçi dhe miqtë e tij duket se kanë qenë garantët për të mbyllur hesapet me llogarinë e majme në Shqipëri. Për këtë ata do të merrnin një shpërblim të konsiderueshëm.

“Gjatë hetimeve janë mbledhur prova se ndihma në këtë rast për transferimin dhe fshehjen e shumës monetare është bërë kundrejt premtimit për marrjen e përqindjes së caktuar të përfitimit monetar, në raport me shumën monetare që është transferuar në Shqipëri dhe që do të vijonte të transferohej në vende të tjera”, njoftoi zyrtarisht SPAK.

Rezart Taçi ka qenë në qendër të vëmendjes në Shqipëri për shkak të skandalit të kompanisë ARMO. Prej shitjes së ARMO-s ai u largua nga Shqipëria dhe besohet se ka jetuar në Milano e qytete të tjera të Italisë. /Zoom.al

Postime të lidhura