zoom

Aktualitet

SKEMA/ Bosi shqiptar i drogës bleu psikiatrin që të mos bënte burg dhe të takonte kriminelët

Zbardhet skema sesi Elvis Demçe, i njohur si bos droge në Itali, i shpëtoi burgut për një periudhë të gjatë në shtetin fqinj.

Siç shkruajnë mediat italiane, trafikanti shqiptar kishte blerë psikiatrin, të cilit i jepte para në mënyrë të vazhdueshme që të lëshonte certifikata false.

E gjithë kjo skemë është zbardhur pas zbërthimit të aplikacionit SKY.

Nga bisedat e zbardhura del se mjeku merrte nga Demçe 200-300 euro, por edhe shumë para të tjera për çdo takim.

Në këmbim, ai ofroi një dokument që udhëzonte autoritetet gjyqësore kompetente që të zbusnin masën e sigurisë për Demçen, pasi ishte dënuar me 18 vite heqje lirie vitin e shkuar, dhe ta linin në arrest shtëpiak, për të ndjekur një plan terapeutik në objektet e autorizuara”.

Madje mjeku vuri në dispozicion zyrën e tij në spital për ta vizituar Elivs Demçen.

Mirëpo takimet terapeutike në të vërtetë rezultuan bashkëpunime mes elementëve kriminalë që të vijonin aktivitetin e tyre.

Për këtë rast autoritetet ligjzbatuese në Romë
kanë mbyllur hetimet paraprake dhe po përgatiten për të ngritur akuza ndaj Elvis Demçes, mjekut dhe shefit të psikiatrisë.

Ata akuzohen për korrupsion, deklarime të rreme në dokumente të destinuara për organet e drejtësisë dhe evazion fiskal.