zoom

Aktualitet

Askush s’i besoi/ Kur qytetari akuzonte publikisht mjekun Gashi si të korruptuar: O gjakpirës…!

Skandali i mjekëve të Onkologjikit që bënin biznes me jetët e të sëmurëve me kancer ka marrë përmasa më të thella dhe indinjata qytetare është e pamatë.

Por shumë qytetarë kanë vuajtur nga abuzimet dhe ryshfetet që kërkonin bluzat e bardha, edhe pse kanë humbur të afërmit pas manipulimeve që u bëheshin me mjekime dhe ilaçe.

Sinan Paja, ishte një prej personazheve të njohur në rrjetet sociale, i cili ndërroi jetë disa muaj më parë nga një sëmundje e rëndë dhe fiks pas vdekjes së bashkëshortes së tij me kancer, ku ka lënë edhe një video protestë para Onkologjikut,. duke akuzuar mjekun Edmond Gashi publikisht.

Pak muaj para se të ndërronte jetë, ai humbi bashkëshorten e tij, të cilën gjithashtu e kishte me kancer. Sinan Paja, përpara spitalit Onkologjik denonconte mjekun Edmond Gashi, që i kishte marrë shuma të mëdha parash për të mjekuar bashkëshorten e tij, 4 mln lekë. Në atë kohë, askush nuk i besoi, ndërsa sot të gjithë e kuptojnë. Qytetari e akuzon se ishte hajdut, mashtrues, gjakpirës dhe madje nuk ia kursen as ofendimet dhe të sharat.

Edmond Gashi, ishte koka e një grupi për zhvatjen e pacientëve me kancer, i cili bashkë me kolegët e tij, i orientonin pacientët te spitali privat. Në skemën abuzive janë përfshirë jo vetëm mjekët e këtij reparti por edhe punonjësit me detyra të thjeshta.

Në përgjime ka biseda të tilla që “me 5 operacione kapim Maldivet” e të tjera si këto. Sot mbahet edhe një protestë qytetare para Ministrisë së Shëndetësisë. Prokuroria ka marrë nën akuzë 8 persona, pjesa më e madhe mjekë, përfshi edhe nëndrejtoreshën e QSUT.