zoom

Aktualitet

Skandali/ Djali i biznesmenit plagosi 3 vetë me dashje, si Policia ndryshoi akuzat në pak orë

Një festë për pak sa nuk është kthyer në tragjedi orët e para të mëngjesit të sotëm, kur një person ka plagosur tre persona të tjerë të së njëjtës familje, motër dhe vëllezër.

Tre shtetas kanë përfunduar në spital të plagosur pasi dyshohet se kanë marrë dëmtime të shkaktuara nga një armë zjarri.

Sipas policisë së Tiranës, ngjarja ka ndodhur rreth orës 01:35. Një 36 vjeçare, një shtetas 36 vjeç dhe një tjetër 34 vjeç janë paraqitur në spital të plagosur.

Këta shtetas, rreth orës 01:30 të mëngjesit të sotëm, kanë qenë duke festuar së bashku me persona të tjerë nga rrethi i tyre shoqëror dhe familjar, në një lokal në Rrugën e Kavajës por për shkaqe edhe të paqarta, një person i ka plagosur, duke hedhur armën dhe duke u larguar në drejtim të paditur më pas.

“Dyshohet se aksidentalisht, me një armë zjarri të cilën e mbante pa leje ka bërë një shkrepje të pavullnetshme”, thuhej në njoftimin zyrtar të policisë mëngjesin e sotëm, por kjo deklaratë ka ndryshuar nga njoftimi pasardhës, duke thënë se 32-vjeçari është shpallur në kërkim për veprën penale “Plagosje e rëndë me dashje”. Sipas burimeve jozyrtare nga policia, 32-vjeçari është djali i një biznesmeni të njohur në kryeqytet.

Gjithashtu janë arrestuar shtetasit A. D., 38 vjeç, dhe D. Z., 35 vjeç, të dy banues në Tiranë, për veprën penale “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 301/25 i Kodit Penal.

Gjithashtu, gjatë kryerjes së veprimeve procedurale, si dhe këqyrjes së kamerave të sigurisë, është bërë e mundur gjetja e armës së zjarrit pistoletë TT, e cila dyshohet se është përdorur gjatë ngjarjes.

Pas kryerjes së krimit nga shtetasi E. E., dy të arrestuarit, i kanë marrë armën e zjarrit dhe më pas e kanë fshehur atë, me qëllim pengimin e zbulimit të veprës penale dhe të autorit të saj.