zoom

Aktualitet

Skandal në Wizz Air/ Shqiptari paguan 60 euro për çantën e krahut. I japin dy fatura të ndryshme

Ndonëse është përballur me kritika dhe akuza të shumta, kompania ajrore Wizz Air vijon të ofrojë shërbime jocilësore që shkojnë deri në abuzim.

Së fundmi, një nga udhëtarët shqiptarë ka bërë një denoncim publik për parregullsitë në kompaninë Wizz.

Sipas denoncimit, një qytetar ka paguar biletën në Wizz Air e cila përfshinte një çante krahu. Pak para fluturimit në aeroportin Charleroi të Brukselit, është përballur me një situatë të cilën e cilëson si skandaloze.

“Nga stafi i Wizz m’u kërkua ta vendosë çantën tek struktura matëse. Edhe pse çanta u fut brenda strukturës metalike m’u kërkua të paguaj 60 euro. Situatë kjo plotësisht skandaloze! Me anë të një emaili i kam kërkuar kompanisë të kthejë kamerat e sigurisë së aeroportit për të vërtetuar që çdo gjë ka ndodhur pikërisht kështu. Edhe pse ishte e padrejte qe te paguaja 60 euro për një çantë krahu, për të mos humbur fluturimin kam kërkuar që ta bëjë pagesën me kartë. Kërkesa ime nuk u mor parasysh, por më është kërkuar që pagesën ta bëjë me para në dorë. Kam paguar cash 60 euro dhe me është dhënë dorazi fatura”.

Në faturë, shkruan ai, mungon emri i agjentit te biletës mungon edhe firma e tij. Mungon njëkohësisht edhe vula e cila i jep vlerë ligjore këtij dokumenti.

Për këtë situatë është vënë në dijeni me anë të një e-maili selia qendrore e Wizz Air në Hungari edhe ajo në Shqipëri. Kësaj kompani i janë drejtuar disa pyetje:

“Pse Wizz Air refuzon pagesën me kartë krediti?
Mos pranimi i pagesës me kartë krediti është në politikat e Wizz Air, apo është abuzim nga ana Agjentit të biletës?
A mund të cilësohet e vlefshme një faturë pagese, e cila nuk ka emër, mbiemër, firmën e personit që ka marre pagesën?
Nëse po, deklarohen te organet tatimore pagesat që i merren “cash” udhëtarëve?”
Katër ditë pas këtij emaili dhe 10 dite pas fluturimit, kompania detyrohet të kthejë përgjigje, dhe përgjigjja e vetme është një faturë ku rezulton se pagesa e bërë nga pasagjeri është 50 euro dhe jo 60.

Denoncuesi thekson për “Ora News” se nuk është rasti i vetëm i kësaj situate, por ishin me dhjetëra qytetarë shqiptarë që i kërkohej të paguanin “cash” për çantat e shpinës dhe nëse pagesa refuzohej mund te humbisnin fluturimin.

Zoom.al ka raportuar vazhdimisht abuzimet dhe shkeljet e kompanisë ajrore Wizz Air duke shkaktuar dhe reagimin e saj, por jo përmirësimin.

Postime të lidhura