Aplikacion
Pas insistimit të familjarëve dhe interesimit mediatik, tanimë ka një pistë të re. Egli Proga dyshohet se u vra pas dhunës barbare nga Denis Meçe, bashkëqytetar i tij. Sipas informacioneve, një debat për motive banale çoi në vdekjen e Progës, por ngjarja u fsheh. Motra e të ndjerit akuzon se vrasja e vëllait të saj ka qenë një bashkëpunim midis autorit të krimit dhe autoriteteve, pasi Policia as nuk ka shënjuar vendngjarjen dhe as nuk ka vendosur shiritë.
“Kush është i forti kur goditet i pambrojturi? Si thonë nuk kemi parë gjë kur është masakruar një i pambrojtur,”- tha për mediat motra e të ndjerit, teksa pret homazhet e tij.
Për ironi të fatit, një ngjarje e ngjashme ndodhi pak ditë më parë në bregdet.
Një i ri humbi jetën teksa notonte në detin e Himarës dhe Policia e Shtetit e raportoi si atak kardiak, por e vërteta nuk vonoi.
Në një denoncim publik, gazetari Flamur Vezaj shkroi se ai ishte goditur nga një “jetsky” dhe se policia qëllimisht e kishte fshehur këtë fakt.
Akuza e Vezajt u rëndua më tej kur ai tha se vrasësi kishte lidhje me qeverinë dhe prandaj krimi u fsheh kaq lehtë.
“38-vjeçari F.K. nga Tirana është goditur me “jetski” nga shtetasi I. Doda, i cili është larguar nga vendi i ngjarjes duke e lënë të vdekur në vend! Por, falë disa dëshmitarëve, policia është vënë nën presion (pasi autori I. Doda ka njohje me pushtetarët) dhe tashmë e ka arrestuar, por nuk ka sqaruar opinionin për gënjeshtrën e shpërndarë në media për “atak kardiak” të viktimës nga “JetSky!”- shkroi ai.
Ngjarjet kanë nxitur reagime në media dhe rrjete sociale, ku opinioni publik kërkon shkundje të Policisë së Shtetit, duke kërkuar nga pushimi prej pune dhe ndjekja penale e drejtuesve që dyshohet se janë përlyer në fshehjet e dy ngjarjeve kriminale, deri te dorëheqja e kreut të Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku. Rrumbullaku erdhi në krye të Policisë me plane të mëdha për luftën ndaj krimit në vend, por mesa duket fushëbeteja e parë e krimit është brenda vetë Policisë. Teksa skandalet shtohen njëra pas tjetrës dhe figura e Policisë vihet për çdo ditë e më shumë në pikëpyetje, parimisht, Muhamet Rrumbullakut nuk i mbeten shumë mundësi: O të shkarkojë të korruptuarit, o të ikë vetë.
Ai është drejtori i gjashtë i qeverisjes Rama dhe ashtu si paraardhësit e tij, duket se edhe largimi i Rrumbullakut nuk mund të jetë i lavdishëm./ Zoom.al