Aplikacion
Një nga truprojat e kreut të qeverisë së Kosovës pothuajse e ka marrë zvarrë gazetaren e televizionit që po i kërkonte një koment Kurtit rreth situatave më të fundit politike apo sociale në vend.
Ka qenë pikërisht gazetarja e TV KLAN, Blerta Dalloshi Berisha, që teksa me mikrofonin në dorë i afrohej kryeministrit për prononcim, një nga truprojat, pa i dhënë asnjë paralajmërim e kap nga duart me forcë dhe e shtyn në mënyrë aspak njerëzore, por edhe kundër çdo rregulli të detyrës që përfaqëson.
Videoja u bë shumë shpejt virale, teksa as kryeministri Kurti dhe as institucioni i tij apo mazhoranca qeverisëse kosovare nuk reaguan, duke heshtur përballë kësaj dhune të pashoqe.
Por më shumë se akti fizik, skandalin e shton ai publik, skena e të treguarit të forcës, teksa pak metra më tej për të mos thënë centimetra, ishte vetë Kurti. Dhe dhuna ndaj medias në prezencë të tij është një mesazh akoma më i rrezikshëm, teksa mund të sjellë edhe insinuata të tjera në të ardhmen.
Por duket se dhuna ndaj medias së lirë kryeministrit kosovar nuk i bën aspak përshtypje dhe mezi gjen rastin që ta shfaqë sa herë i jepet mundësia, nëpërmjet institucioneve që drejton apo forcave të sigurisë që e rrethojnë.
Ky nuk është precedenti i parë i kryeministrit të Kosovës, pasi kohë më parë ai tentoi dhe madje urdhëroi të mbyllte në mënyrë të njëanshme dhe antiligjore Klan Kosova, duke krijuar një tjetër skandal dhe indinjatë.
Për ngjarjen ka reaguar edhe Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës, që e “dënoi me forcë sjelljen e papranueshme të mbrojtjes së afërt të Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, ndaj gazetares së TV Klan, Blerta Dalloshi Berisha”.
“Në videon e publikuar nga kolegia, Dalloshi – Berisha, shihet një nga pjesëtarët e mbrojtjes së afërt duke kapur dhe shtyrë nga dora gazetaren, teksa ajo përpiqet ta bëjë një pyetje për kryeministrin. Maltretimi (keqtrajtimi) në formë të tillë i gazetarëve është i papranueshëm, dhe ndikon në rritjen e pasigurisë për komunitetin medial në Kosovë.
AGK-ja, kërkon nga Policia e Kosovës që të hetojë sjelljen e personit në fjalë, dhe gjithashtu nga Kryeministri që të dënojë këtë sjellje dhe të mundësojë që gazetarët të bëjnë pyetjet në interes të publikut”, thuhet në reagim.
Dhe ky nuk ishte i vetmi. Pasi edhe një zyrtare dhe politikane e lartë si ish-ministrja dhe diplomatja Vlora Çitaku, tha fjalën e saj duke dënuar aktin dy herë, si sulm ndaj medias së lirë dhe ndaj një femre.
“Një gazetare në detyrë u sulmua nga mbrojtja e afërt e kryeministrit Kurti, e madje në prezencë të tij. Indiferenca e kryeministrit pas sulmit dhe gjatë tij është më e rrezikshme sesa sulmi vetë. Kjo mënyrë mendimi dhe veprimi nuk ka vend në demokraci”, shkruan Çitaku në profilin e saj të FB.
Edhe shoqata “Safe Journalism” ka dënuar aktin, duke e cilësuar si një “sulm të rrezikshëm ndaj gazetarisë së lirë”. /ZOOM.AL/