zoom

Aktualitet

SKANDAL/ Arben Kraja, darkë me Benet Becin që është nën hetim nga SPAK

Në një fotografi të siguruar nga Zoom.al, ish-kreu i Prokurorisë së Posaçme (SPAK), Arben Kraja është parë duke darkuar me kryetarin e Bashkisë Shkodër, Benet Beci, i cili ndodhet nën hetim lidhur me institucionin që ai vetë drejtoi deri pak kohë më parë.

Takimi mes dy figurave ngre dyshime të forta mbi etikën dhe paanshmërinë e hetimeve, duke cënuar besimin te institucionet.

Nuk dihet nëse takimi ishte thjesht një rastësi apo kishte një qëllim të caktuar, por fakti që një ish-kryetar i SPAK-ut darkon me një të hetuar lë vend për pikëpyetje të mëdha mbi drejtësinë në vend.

Benet Beci është zyrtarisht nën hetim nga Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar për dyshime mbi shkelje të kryera gjatë detyrave të tij të mëparshme, veçanërisht gjatë kohës kur ai shërbente si drejtor i Fondit Shqiptar të Zhvillimit.

Sipas burimeve nga SPAK, hetimet lidhen me procedura tenderimi ku dyshohet se janë kryer shkelje që kanë shkaktuar dëm financiar buxhetit të shtetit. Në nëntor 2024, Beci u paraqit në zyrat e SPAK-ut për të dhënë shpjegime në lidhje me këto akuza. Pas daljes nga prokuroria, ai nuk pranoi të komentonte për mediat.

Po kështu, gjatë hetimeve ndaj ish-kreut të Autoritetit Rrugor Shqiptar (ARRSH), Evis Berberi, Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) sekuestroi telefonin e bashkëshortes së tij, e cila punonte në Korporatën Elektroenergjitike Shqiptare (KESH). Në këtë pajisje u zbuluan komunikime që lidheshin pikërisht me kryetarin e Bashkisë Shkodër, Benet Beci, i cili më parë ka qenë drejtues i KESH-it. Këto komunikime çuan në nisjen e hetimeve ndaj Becit për dyshime mbi korrupsion dhe shpërdorim detyre gjatë periudhës kur ai drejtonte KESH-in./ Zoom.al

Postime të lidhura