zoom

Bota

Skadon ultimatumi! Hamasi lëshon breshëri raketash mbi qytetin izraelit, nuk dihet fati i banorëve

Breshëri raketash kanë goditur qytetin izraelit Ashkelon pas paralajmërimeve të Hamasit për largimin e civilëve deri në orën 17:00 të kësaj të marte.

Ndërsa shumë njerëz prisnin orën me telefon në duar, ende nuk dihet se çfarë ka ndodhur me fatin e tyre, sa mund të kenë mbetur të vdekur e sa të tjerë i kanë shpëtuar këtij sulmi.

Sirenat janë aktivizuar në të gjithë vendin, ndërsa ushtria bën me dije se 4500 raketa janë lëshuar që nga nisja e sulmit terrorist të Hamasit.

Nga ana tjeter, Izraeli ka njoftuar se ka marrë nën kontroll të plotë kufirin me Rripin e Gazës tre ditë pasi militantët thyen barrierat mbrojtëse dhe nisën sulmet vdekjeprurëse në pjesën jugore.

Ushtria izraelite ka bërë gati edhe infrastrukturën për një sulm të ri. Në afërsi të kufirit me Gazën janë vendosur mijëra forca tokësore të ndara në 35 batalione.

Tel Avivi ka injoruar thirrjet që Hamasi bëri një natë më parë për t’u ulur në bisedime dhe ka intensifikuar sulmet ajrore ndaj Gazës. Vetëm gjatë natës janë goditur mbi 200 objektiva. Mes tyre një depo armësh brenda një xhamie dhe një apartament i përdorur nga forcat e Hamasit.

Bilanci i viktimave

Ndërkohë, orët kalojnë dhe blanci i të vrarëve rritet. Numri i viktimave të konfliktit i ka kaluar 1600 nga të dyja palët. Mbi 900 persona kanë humbur jetën në Izrael dhe mbi 700 palestinezë në Rripin e Gazës. Grupi terrorist i Hamasit, sipas izraelitëve, nuk ka kursyer as fëmjët.

Nga ana tjetër, një nënkolonel i ushtrisë izraelite ka bërë të ditur se 1500 trupa të tjerë të terroristëve të Hamasit janë gjetur sot brenda territorit izraelit.

Po ashtu, prej katër ditësh Hamasi vijon të mbajë peng mbi 150 izraelitë që kapi në nisje të konfliktit. Mendohet se pengjet do të përdoren nga grupi i armatosur në negociata për të liruar palestinezët e burgosur në Izrael.

Izraeli pritet të nisë një operacion të madh tokësor në Gaza, në përgjigje të sulmeve vdekjeprurëse të së shtunës. Po ashtu qindra izraelitë që jetojnë në vende të ndryshme të Europës po kthehen në vend për të shërbyer si rezervistë ushtarakë në luftë.