zoom

Aktualitet

Situatë alarmante nga zjarret, 39 vatra brenda ditës, 6 prej tyre ende aktive. Harta e ministrisë

Situata e zjarreve në vend mbetet alarmante. Ministria e Mbrojtjes ka publikuar të dhënat lidhur me hartën e vatrave problematike, aktive ose jo.

Nga të dhënat zyrtare, 33 vatra zjarri janë shuar gjatë 24 orëve të fundit, nga 39 vatra të raportuara.

“Sipas të dhënave nga Qendra Kombëtare Operacionale e Emergjencave Civile vijojnë të jenë aktive ditën e sotme zjarret në: zonën pyjore Bode, Bashkia Maliq, fshatin Skuraj, bashkia Kurbin, Malin e Kakarriqit, bashkia Lezhë, fshatin Gjadër, bashkia Lezhë, fshatin Zavalinë, bashkia Elbasan dhe  fshatin Kus, bashkia Tiranë. Për shuarjen e plotë edhe të këtyre zjarreve janë duke punuar sot strukturat e pushtetit vendor të mbështetura nga ato në nivel qendror. Aktualisht vatrat nuk paraqesin rrezik për zona të banuara”, thuhet në njoftimin zyrtar.

Në operacionet e fundit për shuarjen e vatrave morën pjesë rreth 1400 forca operacionale me 75 mjete si dhe helikopteri Cougar.

“Ju bëjmë thirrje qytetarëve të raportojnë në kohë në numrat e emergjencave për cdo problematikë. Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile do të vijojë ndërprerje ndjekjen e situatave dhe do të angazhojë të gjitha kapacitetet në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar”, mbyllet njoftimi. /ZOOM.AL/