zoom

Aktualitet

Situatë alarmante/ Çdo orë një vatër zjarri në vend, Ministria e Mbrojtjes zbardh “hartën e kuqe”

Ministria e Mbrojtjes ka publikuar të dhënat e fundit në lidhje me situatën me zjarret në vend, teksa situata e emergjencave mbetet alarmante, me dëme të shumta dhe deri viktima.

Në një postim në rrjetet sociale, bëhet me dije se në 24 orët e fundit janë raportuar 23 vatra aktive, prej të cilave janë ende të ndezura vetëm tre, në vendgrumbullimin e mbetjeve në Vlorë, në fshatrat Malecaj dhe Torovicë të bashkisë Lezhë dhe Torovicë, si dhe në fshatin Kameras, Bashkia Durrës.

“Sipas të dhënave nga Qendra Kombëtare Operacionale e Emergjencave Civile gjatë 24 orëve të fundit janë raportuar 23 vatra zjarri, nga të cilat është bërë i mundur izolimi i 19 vatrave. Sot mbeten aktive vatrat në:

Vendgrumbullimin e mbetjeve të Bashkisë Vlorë për të cilin janë angazhuar kapacitetet në nivel qarku të mbështetura nga kapacitete të pushtetit qëndror dhe subjekte private.

Vatra e zjarrit në fshatin Malecaj të bashkisë Lezhë, i cili ditën e sotme vijon me intesitet të ulët. Gjatë mbrëmjes së kaluar është bërë e mundur shmangia e rrezikut të kalimit të zjarrit në lagjet Shqut dhe Ish Kampi të këtij fshati. Po në këtë bashki zjarri në fshatin Torovicë është drejt shuarjes përfundimtare. Po vijojnë operacionin strukturat e pushtetit vendor të mbështetura nga FA”, njoftoi institucioni.

Teksa raportohet se është ende aktive vatra e zjarrit në fshatin Kameras, Bashkia Durrës për të cilin janë angazhuar ditën e djeshme kapacitetet e qarkut Durrës dhe Tiranë duke bërë të mundur shmangien e rrezikut për kalimin e zjarrit në sipërfaqe me pyll dhe ullinj shekullore.

“Sot janë angazhuar shërbimi zjarrfikës dhe forca vullnetare. Zjarri në fshatin Zogaj, bashkia Tropojë për të cilin ditën e djeshme kanë punuar Forcat e Armatosura, strukturat vendore të mbështetura nga një Helikopter I KFOR. Vijojnë edhe ditën e sotme operacionin për vënien nën kontroll të zjarrit dhe shuarjen e tij. Situata në bashkitë e qarqeve të tjera të vendit ditën e sotme paraqitet relativisht e qetë”, vijohet më tej me sqarimin e situatës dhe hartën e zjarreve.

Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile dhe FA thekson se do të vijojnë të jenë në ndihmë të komunitetit në bashkëpunim me pushtetin vendor. /ZOOM.AL/