zoom

Aktualitet

Situata nga moti në vend/ Shiu i lë vendin borës, qindra familje pa energji elektrike

Reshjet e dendura të shiut në vend u pasuan nga dëbora. Në aksin Bogë-Theth, reshjet e borës nisën në orët e vona të natës, ndërsa në mëngjes u bë kriposja e rrugës për të qarkulluar pa problem.

Aktualisht moti është përmirësuar, por ka rënie temperaturash. Grupet e ARRSH janë në terren duke monitoruar situatën.

Ndërkohë, në Shkodër, vijon të jetë i bllokuar aksi Prekal-Kir, si pasojë e interteve të rëna. Probleme ka edhe në Bashkinë e Pukës, ku janë dëmtuar rrugët rurale, ndërsa në Fushë Arrëz vijojnë reshjet e shiut me intensitet të lartë, shoqëruar nga era e fortë.

Në zonat malore të Shkodrës dhe të Fushë-Arrëzit ka ndërprerje të energjisë elektrike, ndërsa grupet e OSHEE po punojnë për riparimin e defekteve në rrjet.

Edhe zona juglindore e vendit u mbulua nga dëbora në lartësitë mbi 1100 metra mbi nivelin e detit. Reshjet më të dendura janë regjistruar në fshatin Shtyllë si dhe në majat e Mashkullorës dhe Bigllës. 1135 familje janë pa energji elektrike në juglindje të vendit. E gjithë kjo situatë është krijuar për shkak të erave të forta dhe linjave të amortizuara në zonat e thella malore.

Pavarësisht intensitetit të reshjeve, nuk raportohen probleme në rrugët rurale të këtyre zonave. Autoritetet lokale mbeten në gatishmëri për çdo situatë të mundshme emergjente, ndërsa banorët janë këshilluar të tregojnë kujdes në lëvizje, sidomos në orët e natës.

Ndërsa në Parkun e Drilonit, për shkak të erës së fortë, janë rrëzuar disa pemë të vjetra. Autoritetet kanë ndërhyrë menjëherë duke larguar pemët e rrëzuara dhe duke verifikuar nëse ka pemë të tjera që rrezikojnë.

Ndërkohë, për shkak të kushteve të përkeqësuara hidro-meterologjike trageti i linjës Vlorë-Brindisi ka shtyrë për disa orë lundrimin për në Vlorë.