zoom

Blog

Sipërmarrjet në vend hasin në një sistem të korruptuar që promovon monopole dhe oligarki

Skaneri i investimeve dhe investitorëve sot bëhet nga raporti i DASH përtej çdo propagande qeveritare. Raporti është një realitet që e përjetojnë në terren bizneset e investitorët e huaj.

Shqipëria ka përjetuar një rritje të numrit të investitorëve nga SHBA, por raporti i Departamentit të Shtetit vërteton se klima e biznesit dhe mikpritja e biznesit janë ende të vështira për shkak të problematikave të pazgjidhura për më shumë se një dekadë.

Fakt: Sipërmarrjet në vend hasin në një sistem të korruptuar që promovon monopole dhe oligarki, duke bërë këtë vend pak tërheqës për investitorët e huaj.

Fakt: Ligji Investimeve Strategjike favorizon vetëm një grup të vogël biznesesh lokale dhe jo investitorët e huaj.

Fakt: Skema e PPP-ve (Partneriteti Publiko-Privat) është ideuar për të shfrytëzuar buxhetin e shtetit për të përfituar të korruptuarit në qeveri dhe ortakët e tyre, dhe jo për të përmirësuar cilësinë e shërbimeve për qytetarët.

Fakt: Politikat fiskale nuk ndihmojnë sipërmarrjen dhe bizneset, por përkundrazi lehtësojnë monopolet dhe oligarkët, duke ngarkuar me tatime dhe taska 95% të bizneseve dhe shqiptarëve.

Fakt: Korrupsioni është një problem shqetësues, veçanërisht në prokurimet publike, dhe kjo situatë është vërtetuar nga raporti i Departamentit të Shtetit. Skemat e amnistisë fiskale përshkruhen si përfitime të paligjshme për të korruptuarit, duke ndikuar negativisht në qytetarët dhe sipërmarrjet e ndershme.

Shqipëria ka nevojë për një qeveri që të sigurojë siguri dhe politika fiskale pro biznes për të tërhequr investitorët e huaj. Sipërmarrësit strategjikë duhet të kenë mundësi të përfitojnë nga ekonomia e tregut dhe konkurrenca. Kjo do të ndihmonte në zhvillimin e vendit dhe në shfrytëzimin e mundësive ekonomike për të gjithë qytetarët dhe sipërmarrjet.

Nuk mund të sjellë ndryshim një qeveri dhe mazhorancë që ka sjellë këtë shkatërrim të sistemit e këtë mungesë gare e meritokracie. Prej dhjetë vitesh vazhdojnë të trajtojnë korrupsionin si një sajesë e opozitës, kur faktet flasin qartë dhe pastër për aferat që kanë përfshirë qeverinë.

Nuk mund të sjellë ndryshim një qeveri që refuzon propozimin e dërguar në Parlament nga Grupi Parlamentar i PD për të shpallur Luftën Kundër Korrupsionit si prioritet kombëtar dhe që refuzon të miratojë ligjet e propozuara nga ky grup kundër korrupsionit.

Lufta ndaj korrupsionit duhet të jetë prioritet kombëtardhe rikthimi i besimit te institucionet duhet të udheheqë cdo reformë ekonomike. Klima e biznesit me reforma që përmirësojnë tregun dhe luftojnë pastrimin e parave si dhe krijojnë një hapësirë monetare dhe tregtare me stardarte të BE duhet të jenë emergjenca.