zoom

Lajme

Silvinjo “karikon” ekipin përballë Spanjës: Në fushë futemi vetëm për fitore

Shqipëria ka mbyllur përgatitjet për ndeshjen e tretë dhe vendimtare në grupin B të Kampionatit Europian ndaj Spanjës, që luhet të hënën në mbrëmje.

Kuqezinjtë nën drejtimin e trajnerit Sylvinjo dhe stafit teknik u stërvitën për më shumë se një orë në kampin bazë kuqezi në Kaiserau, duke provuar vendosje taktike dhe situata të ndryshme loje.

Departamenti i Komunikimit në FSHF bën me dije se grupi u stërvit i plotë dhe të gjithë lojtarët gëzojnë formë të mirë fizike. Edhe mbrojtësi Enea Mihaj u stërvit me grupin duke lënë pas lodhjen muskulore. Vetëm sulmuesi kuqezi Mirlind Daku nuk do të jetë në dispozicion të trajnerit Silvinjo për shkak të pezullimit nga Komisioni i UEFA-s me dy ndeshje.

Tekniku Silvinjo, në konferencën për mediat, tha se Kombëtarja Kuqezi do të zbresë në fushë vetëm për fitore.

“Natyrisht siç kam thënë që nuk kam parë asnjëherë në jetën time një trajner që ka shkuar në fushë për një barazim. Kemi luajtur për të fituar. Natyrisht edhe nëse e keni ose jo një skuadër të mrekullueshme. Nëse mbeten 5 ose 10 minuta të ndeshjes do të shohim se çfarë do të ndodhë. Nëse duam të kalojmë grupin, duhet të fitojmë, por mund të marrim edhe një barazim. Është e vështirë të përgatisësh një ndeshje për barazim, por edhe më tepër për fitore”, tha Silvinjo.