Aplikacion
Rasti ka gati tre vite që po hetohet nga prokurori Sotir Kllapi dhe subjekt i çështjes nr.17 është biznesmeni i “G.T.S-Gazra Teknike Shqiptare”, Besnik Halili, gruaja e tij Luneda Sufali, vëllai Ergys Halili dhe disa prej punëtorëve më të ngushtë të biznesmenit.
Çështja është tipike si ajo e skemës “5D” të vënë në zbatim nga drejtorët e bashkisë së Tiranës, ku njësoj me veprimet e Mariglen Qatos e të tjerë zyrtarë në bashki, është vepruar dhe në rastin e tenderave të ministrisë së Shëndetësisë për blerjen e oksigjenit mjekësor. Thjesht ndryshojnë lojtarët, por skemat e lojës janë të njëjta. Vetë vendosin kriteret, të vetëm hyjnë në tendera dhe vetë fitojnë miliardat.
Gazetari Elton Qyno raportoi se hetime po kryhen mbi anëtarë të komisionit të prokurimeve në Ministrinë e Shëndetësisë dhe mbi rolin në këtë procedurë të ish-ministres, Ogerta Manastirliu. Në dosjen hetimore jepet një tablo e qartë se si përmes marifeteve teknike, dy kompanitë e themeluara nga biznesmeni Besnik Halili, “GTS-Gazra Teknike Shqiptare” dhe “Messer Albagaz”, kanë fituar përmes trukimit të procedurave dy tendera me vlerë prej 1 miliard e 992 milion lekë dhe i dyti me vlerë prej 1 miliard e 986 milion lekë të vjetra.
Sipas SPAK e gjithë procedura ka qënë e paracaktuar, pasi zyrtarë të Ministrisë së Shëndetësisë dhe punonjës të kompanisë së Besnik Halilit, kanë bashkëpunuar me njëri-tjetrin me qëllim hartimin e kritereve të posaçme, ku fitues i këtij super-tenderit të ishte pikërisht Halili.
Bëhet fjalë për dy procedura tenderuese të hapura në vitin 2019 nga Ministria e Shëndetësisë, ku e para lidhet me “Blerjen e barnave anestezi reaminacion, antineoplastike dhe immunomodulatore” e cila ishte e ndarë në 33 lote me vlerën e sipërcituar prej 198.628.628.1 lekë pa TVSH. Ndërsa procedura e dytë lidhet me prokurimin “B6-Blerje barna për anestezi reanimacion, organet e shqisave, psikiatri dhe sistemi kardiovaskular” i ndarë në 35 lote me fond limit prej 199.297,631.2 lekë pa TVSH.
Të dyja procedurat janë zhvilluar me skemën e marrëveshjes kuadër dhe ka pasur një shtrirje kohore të furnizimit për 12 muaj. Nga procesverbalet e mbajtura nga njësia e prokurimit, janë vendosur kriteret e përgjithshme dhe ato të veçanta të kualifikimit. Në dallim nga lotet e tjera ku kriteret e kualifikimit janë të njëjta, për lotet “Oxygen” rezulton se në kriteret e veçanta të kualifikimit ka disa ndryshme konkrete.
Sipas prokurorisë SPAK rezulton se autoriteti kontraktor Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, në përcaktimin e kriterit të veçantë të kualifikimit, vetëm për gazin mjekësor ka specifikuar llojin e gazit për kontrata të ngjashme, duke specifikuar konkretisht “…gazra mjekësor…”. Në këtë rast Operatorë Ekonomikë të interesuar për të dhënë oferta ekonomike, duhet të kenë patur kontrata të ngjashme vetëm për gazra mjekësor. /ZOOM.AL/