Aplikacion
Ky tender u fitua nga bashkimi i kompanive “GR ALBANIA” dhe “GAUFF GmbH & Co Engineering” me ofertë 535 milionë lekë me TVSH ose 5.4 milionë euro.
Nga të dhënat zyrtare rezulton se në vitin 2022 është bërë shtesë për këtë kontratë. Por vazhdimi i kontratës me “GR ALBANIA” ngre pikëpyetje për konflikte interesi nga kjo kompani. Në 20 shtator 2017, bashkimi i kompanive “Alb- Star”, “AGNA SHA” dhe “GR ALBANIA” do të themelonin kompaninë “GRABOVA HYDROPOËER”, pasi sapo kishin fituar kontratën koncesionare për ndërtimin, operimin dhe transferimin e Hidrocentralit Grabovë 1 nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë.
Megjithatë në vitin 2021, ekuilibrat brenda kompanisë koncesionare “GRABOVA HYDROPOWER” do të ndryshonin.
Në 5 Prill 2021, “Gjoka Konstruksion” do të blinte 34% të aksioneve nga kompania “Alb-Star” për kontratën e hidrocentralit me afat përdorimi 35 vite.
Pra, zyrtarisht prej prillit 2021, kompania “GR ALBANIA”, e cila supervizon punimet e kompanisë “Gjoka Konstruksion” për Rrugën e Arbrit është në ortakëri me këtë të fundit. Madje merr një shtesë prej 558 milionë lekësh (të vjetra) nga Ministria e Infrastrukturës për të mbikëqyrur punimet e kompanisë, me të cilën po ndërton një hidrocentral.
Sipas ekspertit të ekonomisë, Eduart Gjokutaj, institucionet duhet të jenë më të vëmendshme ndaj këtyre rasteve.
“Realisht është një problem i atyre që organizojnë gjithë këtë garë, tendera me para publike që jepen ndërmarrjeve. Natyrshëm që është edhe një dobësi institucionale në raste mos verifikimit fillestar apo paraprak dhe nga ana tjetër edhe investigimit kur nuk ka përputhshmëri të fondeve me investimin”, deklaron Gjokutaj për “Vetting”.
Dyshimet për shkeljen e procedurave me tenderat bien mbi Ministrinë e Infrastrukturës sepse sa herë që transferohen aksionet e një kontrate koncesionare, kompanitë kanë si detyrim të njoftojnë Ministrinë për ndryshimet e ndodhura.
Por ky tender nuk është i vetmi që ngre pikëpyetje për konfliktet e interesit.
Evis Berberi kamufloi Belinda Ballukun për Rrugën e Arbrit
Më 2 gusht 2022, publikisht zv. kryeministrja Balluku u tha shqiptarëve se nuk do të kishte rritje kostosh për Rrugën e Arbrit nga buxheti i shtetit.
Por një muaj pas deklaratës, Ministrja Balluku nëpërmjet shkresës nr. 4014/16 më 7 shtator 2022, kishte miratuar transferimin e fondeve te Autoriteti Rrugor Shqiptar, nën drejtimin e Evis Berberit.
Berberi nëpërmjet këtij financimi do të hapte garën për dy tendera me fond limit 2.3 miliardë lekë ose 23 milionë euro, për dy akse të ndryshme të Rrugës së Arbrit. Këto investime publike nga kompanitë private kanë ngritur pikëpyetje mbi specifikat ligjore, se si do të mbivendosen këto punime mbi kontratën e koncesionarit.
Inxhinieri Spartak Tarka shprehet se duke qenë 3 – 4 sipërmarrës për ndërtimin e kësaj rruge ndahet përgjegjësia.
Tarka shton se në këtë kuadër, rruga ka pasur dëmtime dhe ka pasur edhe mungesë të sigurisë rrugore.
Nëpërmjet fondeve të reja, ARRSH-ja do të hapte garën për tenderin “Sistemimi dhe rivitalizimi i skarpateve në Plani i Bardhë” me fond limit 1 miliardë e 170 milionë lekë, i cili shtrihet mbi Rrugën e Arbrit.
Në nëntor 2022, kreu i ARRSH-së, Evis Berberi, do të shpallte fitues konsorciumin e kompanive “SELAMI”, “COMPANY RIVIERA 2008” dhe “GARDEN LINE” me ofertë 1 miliardë e 375 milionë lekë me TVSH ose rreth 14 milionë euro.
Nga burimet zyrtare, “SELAMI” shpk është kompani e nënkontraktuar nga “Gjoka Konstruksion” për punimet në Rrugën e Arbrit.
Pyetja që shtrohet nga ekspertët e prokurimeve në këtë rast është:
Si është e mundur që kompania që është nënkontraktuar nga koncesionari garon me këtë të fundit në një tender për të njëjtin aks?
Pjesëmarrja e dy kompanive në një tender publik, të cilat janë duke zhvilluar bashkë një projekt tjetër publik, ngre dyshime për konflikt interesi dhe vendos në pikëpyetje rolin e ARRSH-së.
Ka qenë vet Ministria e Infrastrukturës, e cila për “Vetting” ka konfirmuar se “SELAMI” shpk është nënkontraktuar nga koncesionari i Rrugës së Arbrit.
Në skenë del përsëri kompania “GR ALBANIA”, në pronësi të Gentjan Filajt dhe Reald Mansakut, e cila ka fituar tenderin për supervizimin e kësaj rruge, ndërkohë që ka qenë duke supervizuar koncesionarin në të gjithë gjatësinë e këtij aksi.
Balluku rishikoi buxhetin për Rrugën e Arbrit
Premtimet e zv. Kryeministres, Balluku për Rrugën e Arbrit nuk janë shkelur vetëm me afatet, të cilat kanë shtyrë punimet për ndërtimin e tunelit të Murrizit me 20 muaj.
Një muaj pasi Balluku transferoi fondin për ARRSH-në, ky institucion do të shpallte tenderin për sistemimin dhe rivitalizimin e skarpatave në Shkallën e Tujanit me vlerë 1 miliardë e 112 milionë lekë ose 11 milionë euro.
Ky aks, ashtu si Plani i Bardhë shtrihet në Rrugën e Arbrit dhe gara për këtë tender është finalizuar në nëntor 2022 me ofertë fituese nga konsorciumi i kompanive “Ante-Group”, “FERRO BETON-CONSTRUCTION CO” dhe kompanisë turke “BILGIN TAAHHUT INSAAT MADENCILIK SANAYI VE TICARET” me vlerë 1 miliardë e 335 milionë lekë me afat 18 muaj.
Por nga kërkimet në terren zbulohet se tabela e punimeve për këtë projekt është me afat 13 muaj, duke ngritur pikëpyetje se si janë ndryshuar afatet për këtë kontratë. Ky segment të krijon përshtypjen e legjendës së murimit, sa herë ka reshje të rrëmbyeshme dhe vërshime gurësh nga pjerrinat ndanë “Rrugës së Arbrit”.
Në total, nga Ministria e Infrastrukturës, nëpërmjet Evis Berberit janë tenderuar 27 miliardë lekë me TVSH ose 27 milionë euro vetëm për “Rrugën e Arbrit”, duke përdorur kompani private, për të fshehur shtimin e kostos.
Megjithatë sipas raportit të Kontrollit të Lartë të Shtetit për Ministrinë e Financave, çelja e fondeve për dy tenderat e finalizuar nga ARRSH-ja për akset në Rrugën e Arbrit nuk kanë qenë pjesë e Projekt Buxhetit Afatmesëm dhe as pjesë e listës së investimeve publike.
Edhe pse raporti ngarkon me përgjegjësi Ministrinë e Financave dhe Ekonomisë, mbledhja e Këshillit të Ministrave për rishikimin e buxhetit është drejtuar nga zv. kryeministrja Balluku, e cila ka firmosur ndryshimet në buxhetin e 2022.
Konkretisht, më 29 dhjetor 2022, me anë të aktit normativ nr.19, Këshilli i Ministrave nën drejtimin e Ballukut ka rishikuar buxhetin e shtetit. Këto ndryshime janë kritikuar nga Kontrolli i Lartë i Shtetit, i cili ka deklaruar se miratimi i akteve normative është bërë në tejkalim afati dhe pa analiza të detajuara nga Ministria e Financave.
Duhet theksuar se këto fonde nuk kanë qenë të parashikuara në Projekt Buxhetin Afatmesëm, e megjithatë lidhja e këtyre kontratave nga Evis Berberi është bërë në shkelje të afateve sipas audituesve.
Vrulli i Ministrisë së Infrastrukturës për fondet shtesë të Rrugës së Arbrit ka zbuluar detaje të reja. Nga të dhënat e thesarit, të përpunuara nga Open Data rezulton se ARRSH-ja ka realizuar 99% të pagesave drejt kompanisë “SELAMI” shpk për kontratën e Planit të Bardhë me vlerë 1.3 miliardë lekë, gati 6 muaj përpara përfundimit të projektit.
Por ndryshe vijojnë pagesat për Shkallën e Tujanit, ku kompanitë që kanë fituar projektin kanë marrë 880 milionë lekë nga Autoriteti Rrugor Shqiptar.
Megjithatë përtej dyshimeve për korrupsion, ajo që ngre pikëpyetje të forta është shfaqja e influencës ruse, jo vetëm në sektorin e energjetikes, por edhe tek fondet për rrugët.
Nga kërkimet e “Vetting” rezulton se kompania “GR ALBANIA” është në ortakëri me kompaninë ‘TREMA ENGINEERING 2”, e cila ka si aksioner bilionerin rus Oleg Deripaska, një nga aleatët më të ngushtë të Presidentit Vladimir Putin.
Për herë të parë, Deripaska iu nënshtrua sanksioneve nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës në vitin 2018. Prej asaj periudhe, administrata amerikane pretendon se Deripaska iu shmang sanksioneve në mënyra të ndryshme, duke përdorur kompani guackë për të fshehur aktivitetet e tij. Ndërkohë që Shqipëria ishte një nga vendet që e ka mbyllur qiellin dhe tokën për Rusinë, pas luftës së nisur në Ukrainë, oligarkët rusë përfitojnë nga burimet energjetike apo resurset në vendin tonë.
Shkrimi është zbardhur nga emisioni “Vetting” në News24*