zoom

Lajme

Si po tenton Kuvendi të mbrojë Olta Xhaçkën nga heqja e mandatit dhe hetimi i SPAK

Prej më shumë se një viti, Kuvendi dhe mazhoranca po mbrojnë mandatin e deputetes Olta Xhaçka, e cila u kap në shkelje dhe konflikt interesi, e interpretuar edhe me verdikt juridiko-ligjor nga Gjykata Kushtetuese.

Ditët e fundit, opozita ka ngritur zërin ndaj shkeljeve të procedurave dhe afateve nga ana e kryeparlamentares Lindita Nikolla, e cila në fakt ka tagrin e zbatimit të vendimit dhe thirrjes së Këshillit të Mandateve. Por prej muajsh, Nikolla e mban në sirtar diskutimin e mandatit dhe ekzekutimin e vendimit.

Pas letrës së kreut të Grupit të Rithemelimit të PD-së, Gazment Bardhi, kryeparlamentarja kthente një përgjigje ku shpjegonte se nuk mund ta mblidhte dot Këshillin e Legjislacionit për të diskutuar dhe ekzekutuar vendimin e Kushtetueses. Një makinacion i fshehur procedurial, që sipas opozitës ka vetëm një qëllim, mbrojtjen e Xhaçkës nga largimi si deputete dhe benefiteve që vijnë me të.

Por jo vetëm kaq, sepse heqja e mandatit sipas Rithemelimit të PD-së do i hapte rrugë edhe Prokurorisë së Posaçme që të hetonte ligjvënësen, nëse është e përfshirë në përfitimet e paligjshme të bashkëshortit, si rasti i mijëra metrave katrorë tokë në Himarë.

Edhe ministri i Brendshëm, Taulant Balla, i pyetur sot nga gazetarët në konferencë në lidhje me çështjen e Xhaçkës, mbështeti mendimin zyrtar të kryeparlamentares Nikolla.

Referuar kësaj situate të krijuar, Gazmend Bardhi i ka dërguar një tjetër shkresë zyrtare Kuvendit dhe Nikollës, sot më 27 mars 2024, ku i vë në dukje se po shkel ligjin dhe po tejkalon limitet me mbrojtjen që po i bën deputetes Xhaçka. Ai kërkoi ose mbledhjen e Këshillit të Mandateve dhe Rregullores, ose të Konferencës së Kryetarëve.

Kurse në një reagim publik, ai theksoi: “Ka një deformim të qëndrimit të Këshillit të Legjislacionit”.

Më tej Bardhi i përgjigjet Kryetares së Kuvendit: “Pengim i zbatimit të vendimit të Gjykatës Kushtetutese për rastin e mandatit të deputetes Olta Xhaçka, një sinjal politik për SPAK që të mos hetojë deputeten e mazhorancës dhe familjarët e saj”.

Edhe sot, Bardhi, në takimin me reporteren e Parlamentit Evropian, e ngriti këtë tematikë, duke kërkuar që mazhoranca të mos e mbronte më deputeten Xhaçka dhe të zbatonte vendimin.

Pasi Kryetarja e Kuvendit i ktheu përgjigje dje për arsyet e moszbatimit të vendimit të Gjykatës Kushtetuese, Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike i është përgjigjur zyrtarisht sot. Në shkresën drejtuar Kryetares së Kuvendit Lindita Nikolla, kreu i grupit parlamentar demokrat ka theksuar se është deformuar qëndrimi i Këshillit të Legjislacionit dhe se nuk ka asnjë adresim prej tij të asnjë çështje për shqyrtim Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin. Bardhi kujton se Këshilli për Legjislacionin nuk është organ vendimmarrës por këshillimor.

“Duke qenë se Këshilli i Legjislacionit në raportin që i ka paraqitur Kryetares së Kuvendit, ka prezantuar dy qëndrime, atëherë kjo çështje duhet të diskutohet në Konferencën e Kryetarëve, si struktura përgjegjëse parlamentare për organizimin e punës së organeve brenda Kuvendit.” – shkruan Bardhi.

Më tej Kryetari i grupit parlamentar të PD, thekson se “nëse nga ana juaj si Kryetare e Kuvendit është përkrahur këshilla e 5 anëtarëve të mazhorancës, për të zvarritur këtë çështje, atëherë ju keni patur detyrimin kushtetuese dhe ligjor, që çështjen ta transferonit menjëherë për shqyrtim pranë Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin dhe të thërrisnit mbledhjen e këtij Këshilli. Është fakt, që për 1 vit e 2 muaj, si dhe veçanërisht që nga Korriku 2023 ku ka përfunduar puna e Këshillit të Legjislacionit, ju nuk keni ndjekur asnjërën nga procedurat e mësipërme”, thuhet në letrën zyrtare drejtuar Kryetares së Kuvendit.

Gazment Bardhi i ka sjell në vëmendje Kryetares së Kuvendit se vendimet e Gjykatës Kushtetuese janë të detyrueshme për zbatim dhe nga ky detyrim kushtetues e ligjor nuk bën përjashtim as Kuvendi dhe as Kryetari i Kuvendit. Ai i kujton, duke e paralajmëruar, se sipas ligjit për Gjykatën Kushtetuese “Moszbatimi ose pengimi i ekzekutimit të vendimit të Gjykatës Kushtetuese dënohet sipas dispozitave përkatëse të Kodit Penal”, duke ju referuar kështu neneve 320 dhe 320/a të Kodit Penal.

Bardhi i kërkon Nikollës që të zgjedhë nëse duhet të thërrasë mbledhjen e Konferencës së Kryetarëve ose të Këshillit të Rregullores, Mandateve dhe Imunitetit, por pa asnjë vonesë të mëtejshme.

“Mazhoranca socialiste duhet të heq menjëherë dorë nga precedenti i rrezikshëm i injorimit të vendimeve të Gjykatës Kushtetuese, sepse kjo minon demokracinë dhe parimet e shtetit ligjor. Pengim i zbatimit të vendimit të Gjykatës Kushtetutese për rastin e mandatit të deputetes Olta Xhaçka, po të mbahen në konsideratë rrethanat e çështjes, krijon bindjen e plotë në opinionin publik se përmes veprimeve konkrete mazhoranca juaj po pengon drejtësinë në përmbushjen e rolit të vet kushtetues, duke i ofruar mbrojtje politike të paprecedentë një deputeti të mazhorancës.

Në vlerësimin tonë, ky është një sinjal politik edhe për SPAK që të mos hetojë deputeten e mazhorancës dhe familjarët e saj, për implikimin e mundshëm në tjetërsimin e paligjshëm të pronave publike, apo të mos hetojë autoritetet përgjegjëse, përfshirë Kryeministrin Edi Rama, që në shkelje të ligjit dhe me dokumente të falsifikuara i kanë dhënë familjes së deputetes Xhaçka statusin e investitorit strategjik dhe benefitet ligjore e financiare që vijnë nga ky status”, përfundon letra e kryetarit të grupit parlamentar të PD, Gazment Bardhi. /ZOOM.AL/