zoom

Blog

Si ndryshon Lufta e Dytë e Ftohtë që sapo ka nisur nga ajo e viteve 1947-1991

Konflikti midis Izraelit dhe Hamasit, është raundi i fundit në luftën e gjatë midis shtetit hebre dhe armiqve të tij. Është një luftë që do të përcaktojë nëse “boshti i rezistencës” i Iranit apo një koalicion i udhëhequr nga SHBA-ja, do të ketë avantazh në një rajon shumë të rëndësishëm të botës.

Por nga ana tjetër, ky konflikt ka gjithashtu një rëndësi edhe më të madhe në nivel global. Sepse është vetëm njëri nga një seri luftërash të “nxehta” në qendër të Luftës së re të Ftohtë, që po zhvillohet në mbarë botën. Luftërat e Ftohta, nuk janë asnjëherë dhe aq të ftohta, pra asnjëherë aq paqësore sa nënkupton emri i tyre.

Lufta e Ftohtë SHBA-Bashkimi Sovjetik në vitet 1947-1991, u shoqërua me dhjetëra luftëra civile, luftëra me prokurë, dhe madje edhe konflikte serioze me armë tradicionale në vende nga Gadishulli Korean deri në Amerikën Qendrore. Ato luftëra tronditën rajone të tëra, dhe në disa raste kërcënuan se do të përfshinin të gjithë botën.

Sot, një Luftë e re e Ftohtë, po e vendos SHBA-në dhe aleatët e saj përballë një boshti autokracish euroaziatike. Edhe kjo luftë përmban disa përleshje shumë të dhunshme, nga të cilat lufta Izrael-Hamas është e fundit në radhë, por sigurisht jo e fundit. Në garat e gjata globale, këto “luftëra të vogla” mund të kenë pasoja të mëdha.

Pasi ato e ndryshojnë skakierën gjeopolitike globale; dhe ndihmojnë në përcaktimin se cili kamp do të jetë më i përgatitur nëse Lufta e Dytë e Ftohtë në nivel global kthehet befas në një luftë të nxehtë. Ato mund të jenë burime për një avantazh apo disfatë strategjike për fuqitë e mëdha që përfshihen në të.

Konflikte të tilla, ndikuan shumë edhe në rrjedhën dhe rezultatin përfundimtar të Luftës së Ftohtë SHBA-Bashkimi Sovjetik. Ndërkohë, dominimi në Luftën e re të Ftohtë do të kërkojë menaxhimin e një morie luftërash të vogla të “nxehta”, të cilat ka të ngjarë të hasin SHBA-së dhe miqtë e saj.

Vetëm në Evropë, Lufta e Ftohtë ka qenë vërtet një “paqe e gjatë”, ndërsa gati kudo tjetër ka vluar dhuna. Luftërat civile dhe kryengritjet e tronditën Jugun Global. Luftërat e mëdha konvencionale e ndryshuan rrënjësisht vende të tilla si Koreja, Vietnami dhe Lindja e Mesme.

Përfshirja e superfuqive në këto konflikte – me armë, para apo forca ushtarake – ishte e gjithë-pranishme, edhe pse Moska dhe Uashingtoni nuk u përplasën kurrë direkt midis tyre. SHBA-ja humbi rreth 100.000 trupa në luftërat e ‘nxehtë’ të Luftës së Ftohtë.

Gjithsesi, konfliktet e epokës morën në total 20 milionë jetë njerëzish. Ajo humbje ishte e rëndë, por jo befasuese. Sepse gara bërthamore nxiti stabilitet në marrëdhëniet e superfuqive, duke i dhënë të dyja palëve arsye të forta për të shmangur luftën e gjithanshme. Ndarja e Evropës në blloqe koherente dhe të organizuara qartë, nënkuptonte kuptimin e mirë të vijave të kuqe të rivalit.

Por në një lojë me shumën zero për dominim gjeopolitik dhe ideologjik, superfuqitë – dhe veçanërisht sovjetikët – e kërkuan avantazhin diku tjetër. Dhe paqëndrueshmëria që preku rajonet në zhvillim, kryesisht për shkak të de-kolonizimit dhe radikalizmit ideologjik të periudhës së pas vitit1945, krijoi një masë kritike që u ndez nga fërkimet e herëpashershme të Luftës së Ftohtë.

Ndonjëherë, Moska luante rolin e provokatores në konfliktet rajonale, me shpresën e zgjerimit të ndikimit të saj atje ku linjat e kuqe të SHBA-së ishin më të dobëta. Stalini miratoi pushtimin e Koresë së Veriut në Korenë e Jugut në vitin 1950, pasi zyrtarët amerikanë e kishin lënë atë vend jashtë perimetrit të mbrojtjes së Uashingtonit.

Pasardhësit e tij u përpoqën të tejkalonin pozitat e forta perëndimore në Evropë dhe Azinë Lindore, duke mbështetur kryengritësit dhe revolucionarët nga Kuba në Vietnam. Megjithatë, në shumë raste, SHBA-ja rezistoi, dhe jo vetëm sepse besonte se këto luftëra ishin teste të angazhimit të saj strategjik në skenën globale.

Ato luftëra të nxehta ishin shtytëset e konkurrencës midis superfuqive. Ata krijuan mundësi për përgjakjen e armikut, siç bëri Bashkimi Sovjetik kur i dha raketa anti-ajrore Vietnamit të Veriutm, të cilat rrëzuan shumë avionë amerikanë. Por luftërat e vogla, ishin gjithashtu edhe ‘laboratorë’ për ide dhe armë që mund të shfaqeshin në luftëra më të mëdha.

Në disa aspekte, bota e sotme ngjan pak me atë të Lufta së parë të Ftohtë. Ndërvarësia komplekse lidh SHBA-në dhe Kinën në një raport shumë të vështirë. Rivalët e Amerikës,nuk janë pjesë e një lëvizjeje të vetme ideologjike si komunizmi. S’ka asnjë ekuivalent bashkëkohor me procesin e de-kolonizimit, që shkaktoi një kaos të madh sepse lindi në kaq shumë vende dhe në një kohë shumë të shkurtër.

Por luftërat e ftohta – përplasjet në zonën e errët midis luftës dhe paqes – marrin shumë forma. Një grup autokracish euroaziatike – Kina, Rusia, Irani, Koreja e Veriut – janë bërë bashkë nga kundërshtimi i tyre i përbashkët ndaj sistemit aktual ndërkombëtar.

Të gjitha këto vende, kanë kundërshtuar prej kohësh një statuskuo të mbështetur nga Amerika në rajonet e tyre përkatëse. Ato kërkojnë një të ardhme në të cilën do të dobësohet fuqia e SHBA-së, por edhe vlerat demokratike. Ndaj tani ato po zhvillojnë me njëra-tjetrën lidhje më të forta  ushtarake, ekonomike, teknologjike dhe diplomatike.

Presidenti amerikan Joe Biden, ka thënë se konfliktet e vazhdueshme në Ukrainë dhe Lindjen e Mesme, janë pjesë e një lufte më të madhe midis demokracive dhe armiqve që duan t’i “asgjësojnë plotësisht” ato. Nga ana e tij presidenti rus Vladimir Putin, thotë se terroristët e Hamasit që luftojnë Izraelin dhe ushtarët rusë që plaçkitin Ukrainën, po luftojnë të njëjtën “rrënjë të së keqes” që mishërohet nga SHBA-ja, dhe se rezultatet e saj “do të përcaktojnë fatin e Rusisë dhe të gjithë botës”.

Në fakt, luftërat e nxehta i dhanë formë prej kohësh Luftës së re të Ftohtë që sapo ka nisur. Marrim si shembull luftën civile siriane, konfliktin më të përgjakshëm dhe më konsekuent të viteve 2010. Ajo përplasje ishte një luftë me prokurë, në të cilën një regjim i mbështetur ushtarakisht nga Rusia dhe Irani, dhe diplomatikisht nga Kina, mposhti një revoltë të mbështetur nga disa qeveri të Lindjes së Mesme dhe nga SHBA.

Ajo e rikonfiguroi Lindjen e Mesme, kryesisht në disavantazhin e Amerikës. Irani e përdori konfliktin për ta mbushur Sirinë me luftëtarët e saj, për të thelluar partneritetin e tij me grupin terrorist libanez Hezbollah, dhe për të forcuar pozicionin e tij përgjatë kufirit verior të Izraelit.

Rusia u rikthye si një fuqi e Lindjes së Mesme, duke treguar se do të ndërhynte me vendosmëri në emër të miqve të saj. Moska kishte arritur të thyente “zinxhirin e revolucioneve me ngjyra” në vende si Gjeorgjia dhe Ukraina, tha Ministri rus i Mbrojtjes Sergei Shoigu: Amerika dhe miqtë e saj, nuk mund të rrëzonin më qeveritë që nuk i pëlqenin.

Lufta Izrael-Hamas është pjesë e këtij modeli. Para kësaj lufte, Irani ishte përpjekur të rrethonte Izraelin me micilitë e saj të mirë-armatosura. Uashingtoni ishte përpjekur të ndërtonte një koalicion, me Izraelin dhe Arabinë Saudite, për të balancuar Teheranin dhe aleatët e tij. Hamasi u përpoq ta sabotonte atë, duke ndezur një luftë të përgjakshme që do ta polarizojë rajonin përgjatë linjave arabo-izraelite.

Dhe s’ka asnjë garanci që konflikte të tilla do të mbeten të kufizuara. Në vitin 2018,forcat amerikane masakruan ndoshta 200 mercenarë rusë që u afruan shumë pranë një baze amerikane në Siri. Në Ukrainë, ka pasur rreziqe të ngjashme: Në një moment, një pilot rus gati sa nuk rrëzoi një avion britanik mbi Detin e Zi.

Nëse historia është një lloj udhërrëfyesi, lufta Izraeli-Hamas është një shenjë: Një botë e paqëndrueshme dhe e ndarë, ofron shumë mundësi për përsëritjen e skenarit.