zoom

Politikë

Si ndryshoi qendrimi i Berishës për marrëveshjen mes Ramës dhe Bashës

5 vite më parë kryeministri Edi Rama dhe ish-kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha arritën marrëveshjen që i dha fund krizës politike dhe nxorri pas gati 90 ditësh opozitën nga çadra para kryeministrisë.

Dy liderëve të kohës iu deshën tre orë që, pas bisedës kokë më kokë, të dilnin me një shtrëngim duarsh.

“Kemi një marrëveshje bazuar në paketën Mcallister + të propozuar nga SHBA”, deklaroi Basha pas marrëveshjes.

“Përsa më përket mua më lejoni të jem 100% me kryetarin e opozitës”, deklaroi Rama në komunikimin e shkurtër për mediat pas takimin tre orësh.

Një ditë më pas Partia Socialiste dhe Partia Demokratike zbardhën termat e marrëveshjes, teksa shpërndanë të njëjtin tekst të dakordësuar një ditë më parë mes Ramës dhe Bashës.

Në bazë të kësaj marrëveshje Partia Demokratike pranoi të hyjë në zgjedhjet parlamentare të 25 Qershorit të atij viti, ndërsa Partia Socialiste në këmbim pranoi të shkarkojë gjashtë ministra të kabinetit qeveritar dhe të zëvendëskryeministrit Niko Peleshi, për ti zëvendësuar ata me emra të propozuar nga opozita.

Gjithashtu Partia Socialiste në kuadër të kësaj marrëveshje pranoi të shkarkojë nga detyrat drejtorët e OSHEE-së, ALUIZNI-it, burgjeve, hipotekave dhe drejtorin e përgjithshëm të Agjencisë së Zhvillimit Bujqësor dhe Rural, drejtori këto që konsideroheshin nga opozita si më të rëndësishmet dhe me ndikim të drejtpërdrejtë në procesin elektoral.

Marrëveshja u përshëndet në atë kohë nga gjithë faktori ndërkombëtar, i cili luajti një rol deçiziv në arritjen e saj.

Gjithashtu marrëveshja Rama-Basha u përshëndet në atë kohë edhe nga ish-kryeministri Sali Berisha.

Megjithëse luante një rol jo aktiv në politik, ai kishte një ndikim mjaft të madh te demokratët dhe nëpërmjet një reagimi në rrjetet sociale, të postuar pikërisht më 18 maj, Berisha dha “bekimin” e tij për marrëveshjen, nga e cila fitonte Shqipëria.

“Mendoj se çdo shqiptar duhet te ndjehet vertet i lehtesuar per zgjidhjen me mjete politike te kesaj krize qe kercenonte ne menyren me serioze ekzistencen e pluralizmit politik ne Shqiperi, themelet kushtetuese te shtetit demokratik, paqen sociale dhe stabilitetin e vendit. Keshtu qe pa u ndalur ne nje analize te hollesishme, e them me bindje te plote se me kete marreveshje ka fituar Shqiperia dhe se per te gjithe shqiptaret qe e duan vendin e tyre dhe vlerat e lirise, marreveshja eshte nje ëin-ëin story”, shkruante Berisha në reagimin e tij të asaj kohe.

Madje ai atëherë meritën ia njihte partnerëve ndërkombëtarë, atyre europian dhe amerikan, të cilët sipas tij bën të mundur bindjen e palëve për të arritur konsensusin.

“Me kete rast te dashur miq, le te shprehim mirenjohjen tone me te thelle ndaj miqve tane te respektuar europiane dhe amerikane per ndihmen e tyre tejet te çmuar qe dhane ne arritjen e kesaj marreveshje si dhe ndaj te gjithe atyre burrave dhe grave, djemve dhe vajzave qe vendosen sakrificen e tyre ne themel te saj si dhe ndaj te gjithe atyre, qe me angazhimin serioz bene te mundur kete marreveshje te nje rendesie historike per Shqiperine!”, shkruante Berisha në reagimin e tij.

Këtë qëndrim Berisha nuk do e ndryshonte as pas një viti, teksa shprehej i sigurtë se marrëveshja ishte e duhura dhe se opozita kishte humbur në zgjedhje për fajë të Ramës.

“Basha, jam i bindur se nuk ka bërë asnjë kompromis me Ramën në 17 maj. Nuk ka kompromis dhe nuk kam pse t’i rikthehem më asaj marrëveshje. Rama e shfrytëzoi në mënyrë demonjale, kurse Basha i qëndroi karshi djallit. Civiliteti nuk ka vlerë”, tha Berisha në një nga deklaratat e tij mediatike më 18 tetor të 2018.

Këtë bindje ai e mbrojti deri në 2021, kur vendimi i DASH për ta shpallur person non grata do të bëhej shkak për ndarjen përfundimtare nga Basha.

Thuajse në të gjitha takimet që ai zhvilloi në kuadër të Foltores, ai do ta denonconte këtë marrëveshje si në dëm të interesit demokratëve, ndërsa Bashën do e akuzonte se kishte bërë pakt me Ramën për të krijuar një opozitë false./Zoom.al