zoom

Politikë

Si ndahen mandatet? Numërohen gjysmat e Qendrave të Votimit në Durrës, Elbasan dhe Fier

Partia Socialiste ka siguruar 8 mandate deputetësh në Qarkun e Durrësit, sipas rezultateve paraprake të procesit të numërimit të 117 Qendrave te Votimit nga 481 gjithsej. PS ka marrë deri tani 52.1% të votave, ndërsa Partia Demokratike ka marrë 39.5% të votave.

Nga rezultatet paraprake të procesit të numërimit të 117 Qendrave të Votimit nga 481 gjithsej, rezulton se Partia Socialiste ka siguruar tetë mandate deputetësh në Qarkun e Durrësit.

Duke iu referuar rezultateve të deritanishme, Partia Demokratike ka marrë 6 mandate deputetësh. Nga ana tjetër, Lëvizja Socialiste për Integrim, në qarkun e Durrësit ka marrë deri tani 6.4% të votave, ose 2380 vota, pa siguruar një mandat deputeti.

QARKU ELBASAN

Ndërsa në Qarkun e Elbasanit, kur deri tani janë numëruar 323 Qendra Votimi nga 511 gjithsej, Partia Socialiste ka siguruar 9 mandate deputetësh, me 55.6% të votave.

Ndërsa Partia Demokratike me 36.2% të votave ka siguruar deri tani 5 mandate deputetësh.

Lëvizja Socialiste për Integrim ndërkohë deri më tani ka marrë 5.1% të votave duke mos arritur në votat e mjaftueshme për një mandat deputeti.

QARKU FIER

Edhe në Qarkun e Fierit, sipas rezultatit paraprak të votave, kur janë numëruar 306 Qendra Votimi nga 580 gjithsej, Partia Socialiste ka siguruar 9 mandate me 52.6% të votave.

Ndërsa Partia Demokratike ka siguruar deri tani 6 mandate deputetësh me 37.4% të votave.

Lëvizja Socialiste për Integrim me 7.3% të votave ka siguruar një mandat deputeti deri tani në Qarkun e Fierit.