Aplikacion
Sanksionet e vendosura kundër Rusisë në fund të muajit shkurt, menjëherë pas fillimit të luftës, e përjashtuan energjinë, pasi dominoi frika se Europa ishte aq shumë e varur nga importet e energjisë ruse, saqë ndërprerja e tyre do të sillte një rritje të çmimeve, mungesa dhe vështirësi ekonomike.
Dhe kjo gjë mund të sillte dobësimin e mbështetjes së publikut europian mbi përgjigjen e bashkërenduar perëndimore ndaj pushtimit të Moskës. Pastaj vijuan gati 2 muaj luftë – sulme shkatërruese kundër civilëve, tmerret e zbuluara pas tërheqjes së ushtrisë ruse nga rrethinat e Kievit, dhe betejat e pritshme të mëdha në rajonin e Donbasit në lindje të Ukrainës.
Qeveritë europiane janë zotuar të heqin tërësisht dorë nga energjia ruse brenda disa viteve. Por në mesin e neverisë në rritje për taktikat brutale të presidentit rus Vladimir Putin në këtë luftë, po përshpejtohet vrulli për sanksionet e reja energjetike të Bashkimit Europian.
Ato kanë nisur tashmë me bojkotimin e qymyrit rus. Por gazi dhe nafta janë burimet më të mëdha të parave për financimin e makinerisë ruse të luftës. Nëse Europa ndërpret plotësisht importin e naftës dhe gazit rus, ne llogarisim se kjo do t’i kushtonte Kremlinit, duke marrë për bazë çmimet aktuale, më shumë se 250 miliardë dollarë në vit.
Por a është e mundur që kjo të bëhet pa shkaktuar shumë dëme ekonomike me pasoja destabilizuese ekonomike? “Vetë-sanksionimi”, pra refuzimi nga rafineritë i përdorimit të naftës ruse, me bankat që nuk ofrojnë financim, po i redukton tashmë ndjeshëm blerjet e energjisë ruse nga vendet europiane.
Tani po diskutohet vendosja e tarifave të larta të importit për energjinë ruse, që synojnë ta detyrojnë Rusinë të bëjë ulje të mëdha të çmimit për ta bërë konkurruese naftën. Por shkëputja e plotë e Europës nga energjia ruse do të varet nga administrimi me mjeshtëri i mungesës së energjisë dhe i turbullirave që do të shkaktojë ajo.
Për të pasur sukses në këtë proces, kërkohet diçka që deri tani kryesisht ka munguar: bashkëpunimi midis qeverive dhe kësaj industrie. Duhet të lihet mënjanë politika, së bashku me ankesat për “rritje të çmimeve”, të cilat injorojnë realitetet e mungesave në tregun global dhe e dekurajojnë bashkëpunimin.
Qeveritë amerikane dhe europiane duhet të bashkëpunojnë çdo ditë me kompanitë private, duke shkëmbyer informacione, për të koordinuar logjistikën komplekse dhe zinxhirët e furnizimit të një tregu nafte prej gati 100 milionë fuçish në ditë.
Jetojmë në kohë lufte, dhe kjo nënkupton se duhet t‘i rikthehemi bashkëpunimit qeveri-industri ashtu si gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe “marrëveshjeve vullnetare” si në kohën e Luftës së Koresë, “komiteteve të emergjencës” si gjatë Krizës së Kanalit të Suezit të vitit 1956, të cilat në atë kohë përfshinin edhe përjashtime të përkohshme nga ligjet anti-trust për të lejuar shkëmbimin e informacioneve jetike midis qeverisë dhe kompanive.
Përmes një bashkëpunimi të tillë, mund të jenë më të menaxhueshme sanksionet e vendosura kundër naftës ruse. Sipas të dhënave tona, rreth gjysma e 7.5 milionë fuçive ditore të naftës së papërpunuar ruse shkojnë në Europë, duke përbërë rreth 35 për qind të kërkesës në total.
Njoftimi i fundit i presidentit amerikan Joe Biden për përdorimin e një sasie të madhe nafte dhe gazi nga Rezerva Strategjike e SHBA-së për të furnizuar Europën, ishte një hap i madh për të ndihmuar në kompensimin e mungesave. Prodhimi i naftës në SHBA do të rritet ndjeshëm këtë vit.
Edhe prodhuesit në Lindjen e Mesme mund ta shtojnë edhe më shumë prodhimin e naftës nga ana e tyre, por kjo do të nënkuptonte anulimin e marrëveshjes së tyre, OPEC Plus, dhe tejkalimin e tensioneve aktuale në marrëdhëniet SHBA-Arabi Saudite.
Një marrëveshje bërthamore me Iranin, që do të shoqërohej me heqjen e sanksioneve, mund të sjellë shpejt më shumë naftë në treg. Por Rusia, një palë e kësaj marrëveshje, mund të mos mbështesë një marrëveshje që do të shtonte në treg më shumë naftë që do të konkurronte naftën e saj.
Një pjesë e naftës ruse e refuzuar nga Europa do të zhvendosej në Azi, por do të shitej me ulje të mëdha, dhe transporti i saj do të pengohej nga sanksionet, kufizimet në garanci dhe financa, si dhe nga disponueshmëria e anijeve. Këtu duhen zbatuar leksionet e nxjerra nga sanksionet e vendosura ndaj Iranit në vitet 2012-2014.
Gazi natyror është edhe sfida më e madhe, për shkak të varësisë së lartë të Europës nga furnizimi nëpërmjet gazsjellësve rusë. Normalisht kjo normë është rreth 35 përqind e kërkesës së BE-së, por që luhatet deri në 25 për qind.
Ndërsa gazi natyror i lëngshëm (LNG) ka sjellë shumë gaz shtesë në Europë, dhe më shumë sasi do të mbërrijnë në muajt e ardhshëm, në nivel global nuk ka kapacitet të mjaftueshëm shtesë për LNG dhe as infrastrukturë të mjaftueshme të LNG në Europë për të kompensuar mungesën bojkotimi i gazit rus.
Zgjerimi i ndjeshëm i energjisë së rinovueshme do të kërkojë vite. Gjithsesi mund të ndërmerren disa hapa të menjëhershëm, të cilat do ta reduktonin varësinë e Europës nga gazi: përdorimi i përkohshëm i më shumë qymyri; nëse kjo është e mundur në aspektin teknik, mos-mbyllja e 3 reaktorëve bërthamorë që janë ende funksionalë në Gjermani; kursim i energjisë; ndryshim në sjelljen e njerëzve (p.sh rregullimi i temperaturave të ndërtesës), dhe ndoshta një formë racionimi.
Këta hapa do të kishin sigurisht një kosto politike, sidomos në Gjermani, por ndërsa nga Ukraina vazhdojnë të zbulohen tmerre të njëpasnjëshme, njerëzit mund t’i pranojnë më lehtë këto sakrifica sesa mund ta parashikojnë udhëheqësit e tyre. Për të zbutur ndikimin ekonomik të këtij procesi, qeveritë mund të analizojnë me kujdes asetet financiare ruse në Europë për të kompensuar konsumatorët dhe kompanitë.
Një dekadë më parë, Vladimir Putini e denoncoi revolucionin e nxjerrjes së naftës, duke e cilësuar atë si një kërcënim. Dhe ai kishte të drejtë që shqetësohej. Nëse Shtetet e Bashkuara nuk do të kishin kaluar nga importimi i 60 për qind të naftës së tyre në prodhuesin nr.1 në botë dhe këtë vit, në eksportuesin më të madh në botë të LNG-së, Europa mund të ishte tani pengu i tij.
Tani, Putini ka zbuluar se sa aset i frikshëm strategjik është nafta dhe gazi i SHBA, jo vetëm për Shtetet e Bashkuara, por në këtë krizë të madhe edhe për Europën./Washington Times