Aplikacion
Hitleri kërcënoi se do të pushtonte Çekosllovakinë në mënyrë që ta përfshinte atë në rajonet kufitare të Rajhut me një popullsi gjermanishtfolëse. Ai nuk kishte pse të pushtonte, sepse krerët e Mbretërisë së Bashkuar, Francës dhe Italisë, me masakrën e Luftës së Madhe ende në kujtesën e të gjithëve, i pranuan kërkesat e tij në konferencën e Mynihut të vitit 1938. Megjithatë, brenda gjashtë muajve, nazistët shkelën Marrëveshjen e Mynihut, krijuan Protektoratin e Bohemisë dhe Moravisë në tokat çeke dhe krijuan një shtet kukull të pavarur sllovak. Hitleri më pas filloi të pretendonte një pjesë të Polonisë.
Sulmi i Putinit ndaj Ukrainës filloi në një mënyrë të ngjashme, me pushtimin e Krimesë dhe krijimin e dy shteteve të mbështetura nga Kremlini në rajonin lindor rusishtfolës të Donbasit në vitin 2014. Kjo ishte një shkelje flagrante e Memorandumit të Budapestit për Garancitë e Sigurisë, sipas të cilit Ukraina, së bashku me Bjellorusinë dhe Kazakistanin, hoqën dorë nga arsenalet bërthamore që kishin trashëguar nga Bashkimi Sovjetik. Në këmbim, Rusia, Mbretëria e Bashkuar dhe Shtetet e Bashkuara dhanë garanci se do të respektonin sovranitetin dhe pavarësinë e të tre vendeve brenda kufijve të tyre ekzistues.
Ashtu si Mbretëria e Bashkuar dhe Franca nuk ndërmorën asnjë mase serioze kur Hitleri shkatërroi gradualisht Traktatin e Versajës, po ashtu asnjë vend nuk bëri asgjë aq serioze sa t’i detyronte rusët të pendoheshin për aneksimin e Krimesë dhe inkurajimin e separatizmit në Donbas.
Pretendimi i Hitlerit për Sudetenlandin e Çekosllovakisë ishte, tha ai në atë kohë, “pretendimi im i fundit territorial në Evropë”. Por kushdo që kishte lexuar Mein Kampf duhet t’i kishte ditur ambiciet e tij për të krijuar Lebensraum për gjermanët në Evropën Lindore. Në mënyrë të ngjashme, mund të dyshojmë me të drejtë se Putini, i cili e ka përshkruar shpërbërjen e Bashkimit Sovjetik si një fatkeqësi, dëshiron të rivendosë dominimin rus mbi territorin ish-sovjetik. Nëse Putini mund t’ia hedhë paq me pushtimin e Ukrainës dhe vendosjen e një regjimi kukull, a do ta kenë radhën pas kësaj ish-shtetet sovjetike baltike, veçanërisht Estonia dhe Letonia, me pakicat e tyre të mëdha rusishtfolëse?
Putini ka një avantazh të madh që për fat të mirë i mungonte Hitlerit: armët bërthamore. Putini i ka paralajmëruar vendet që mund të përpiqen të ndërhyjnë në “operacionin ushtarak” të Rusisë në Ukrainë duke testuar një raketë me aftësi bërthamore pak përpara nisjes së pushtimit dhe duke thënë se çdo vend që ndërhyn do të përballet me “pasoja që nuk i keni parë kurrë më parë”. Katër ditë pas fillimit të pushtimit, ai vuri në gatishmëri forcat bërthamore të Rusisë.
Atëherë, si mund të ndalet Putini?
Tashmë po vendosen sanksione ekonomike, hapësira ajrore po mbyllet për avionët rusë dhe po fillojnë bojkotimet e mallrave ruse. Vendet fqinje, veçanërisht Polonia, duhet gjithashtu të mbyllin rrugët tokësore për kamionët rusë. Këto masa, për fat të keq, do të dëmtojnë të gjithë rusët, përfshirë ata që kundërshtojnë luftën. Por a ka ndonjë mënyrë tjetër për ta ndaluar Putinin të arrijë qëllimet e tij?
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka qëndruar plot guxim në Kiev, duke i mbledhur ukrainasit për të luftuar rusët që përparojnë. Nëse ata mund të shkaktojnë dëme të konsiderueshme ndaj forcave ruse, kjo mund të ndihmojë në ndalimin e Putinit, megjithëse shumica e ekspertëve ushtarakë besojnë se një fitore ushtarake ruse është e pashmangshme.
Ndoshta duke e pranuar këtë, Zelensky i ka bërë thirrje popullit rus që të ndalojë luftën. Shumë rusë po përpiqen ta bëjnë këtë. Pas nisjes së pushtimit, pati protesta në rreth 55 qytete në të gjithë Rusinë. Një organizatë e pavarur monitoruese thotë se 5,000 persona janë arrestuar për pjesëmarrje në protesta pa leje paraprake, por shumë të tjerë vazhdojnë të protestojnë. Në kohën e shkrimit, më shumë se një milion rusë të guximshëm kanë vënë emrat e tyre në një peticion të titulluar “Ndaloni luftën”.
Protestat nuk kanë ndaluar me kaq. Dmitry Muratov, fituesi i Çmimit Nobel për Paqen 2021 dhe redaktori i Novaya Gazeta, një nga gazetat e fundit të pavarura të Rusisë, postoi një video në të cilën ai u bëri thirrje rusëve të ngrihen kundër luftës, duke thënë se: “Vetëm lëvizja e rusëve kundër luftës mund të shpëtojë jetë në këtë planet.” Yelena Kovalskaya, drejtoreshë e Qendrës Teatrore Meyerhold, dha dorëheqjen në shenjë proteste kundër sulmit në Ukrainë, duke thënë: “Është e pamundur të punosh për një vrasës dhe të marrësh një rrogë prej tij”. Më shumë se 150 shkencëtarë dhe gazetarë shkencorë nënshkruan një letër, të publikuar në një faqe interneti shkencore ruse, duke shprehur keqardhjen se Rusia e ka dënuar veten me izolim dhe statusin e një shteti mashtrues. Një numër i ngjashëm zyrtarësh komunalë nga shumë qytete nënshkruan një letër duke e dënuar sulmin si “një mizori të paprecedentë”, duke shtuar se “shpresat për një jetë të mirë në Rusi po shkërmoqen para syve tanë”.
Tani nevojitet që ushtarët rusë në Ukrainë të ndalojnë së luftuari një luftë të padrejtë. Raporte të pakonfirmuara tregojnë se disa tashmë kanë refuzuar të shkojnë në Ukrainë. Rusët kanë qasje në një gamë të gjerë informacioni përtej propagandës së mediave të tyre shtetërore, kështu që ata duhet të dinë se janë pjesë e një lufte agresioni. Vrasja e qëllimshme e njerëzve pa shkak është vrasje, dhe kjo është ajo që do të bëjnë ushtarët rusë nëse u binden urdhrave për të shënjestruar ukrainasit me armë vdekjeprurëse. Bindja e urdhrave nuk është justifikim, ashtu siç nuk ishte justifikim për ata që ishin nën komandën e Hitlerit.
Që tani e tutje, për sa kohë që Putini mbetet lideri i Rusisë, vendi duhet të shihet si një vend i përjashtuar në nivel ndërkombëtar. Sanksionet duhet të jenë mjaft të ashpra për të bërë të mundur që edhe rusë të shohin që shpresat e tyre për një jetë të mirë të shkatërrohen.
Kjo është veçanërisht e padrejtë për ata që kanë kundërshtuar publikisht luftën. Por si mund të shpresojnë ata ndryshe që ta zëvendësojnë Putinin me dikë që është i përgatitur t’u përmbahet parimeve morale dhe ligjit ndërkombëtar? Ndonjëherë të mundurit i shohin vuajtjet e tyre si çlirim. Për këtë thjesht pyesni gjermanët e sotëm./ Marrë nga BIRN