Aplikacion
“Pavarësia editoriale kërcënohet nga rregullimi partiak i medias, integriteti fizik i gazetarëve cenohet nga krimi i organizuar, nga dështimi i shtetit për t’i mbrojtur ata dhe madje edhe nga dhuna policore. Mediat private shqiptare më me ndikim zotërohen nga një grusht kompanish që kanë lidhje me politikanë. Gazetarët përballen me trysni politike.”
Këto ishin disa nga gjetjet. Ajo që nuk u përfshi në raport ishte blerja e heshtjes së medias për aferën më të madhe korruptive në historinë e Shqipërisë, atë të inceneratorëve, përmes pagesave të majme që u janë bërë televizioneve, gazetave e portaleve nga inceneratorët.
SPAK e ka këtë aferë si dosjen më të rëndësishme dhe pritet të kërkojë arrestime të tjera në nivelet e larta të politikës. Opinionistë e gazetarë të ndryshëm e kanë lidhur këtë edhe me sulmin e pashembullt që kryeministri i bëri SPAK-ut këtë javë.
Edhe pse SPAK po i thellon dita-ditës hetime, shumë media kanë vendosur të heshtin. Arsyeja? Shumë prej tyre figurojnë në list-pagesat e inceneratorëve.
Tashmë nuk ka asgjë për të fshehur. Gazetari Elvi Fundo publikoi listën e plotë.
BEN BLUSHI
Sipas gazetarit Fundo, ish-drejtori i Top Channel, Ben Blushi është pjesë e përfitimit, jo vetëm përmes familjes, por edhe Top Medias, të cilën e drejtoi për 4 vjet.
CARLO BOLLINO
Dokumentet e publikuara, gjithashtu tregojnë se edhe gazetari Carlo Bollino, “MTSC” është paguar me rreth 40 mijë euro në shtatë fatura.
Vetëm gjatë muajit prill të vitit të kaluar, MTSC është paguar me 17 mijë euro.
Kjo kompani me adresë në Tiranë është themeluar më 2015-ën, por sipas dokumenteve të publikuara del se është në pronësi të plotë të gazetarit italian Carlo Bollino.
BATON HAXHIU
Në listën e mediave eshte edhe “The Albanian Post” e Baton Haxhiut.
Nacionale ka raportuar për këto dy kompani mediale që morën para nga kompanitë e inceneratorëve në formë marketingu, përkundër audiencës së vogël.
Përgjigjen se pse dikush duhet t’i paguajë mediat në mënyrë sistematike për muaj të tërë, ndërkohë që të njëjtat nuk e kanë audiencën e duhur për t’i marrë ato para, duhet ta japë Prokuroria.
Sipas tabelave të publikuara nga CNA, Albanian Post e Baton Haxhiut mori 2 milionë e 600 mijë lek apo rreth 21 mijë euro.
IRFAN HYSENBELLIU
Edhe Irfan Hysenbelliu u pagua përmes medias së tij nga kompanitë e inceneratorëve. Kompania mediale “Focus Media News”, brenda saj Fax Tv dhe Fax News, u pagua me para të majme nga kompanitë e inceneratorëve të Klodian Zotos dhe Mirel Mërtirit.
Ortak i vetëm me 100% të kapitalit të kësaj kompanie mediale është “Focus Group”. Pra, grupi Hysenbelliut.
“Fokus Media News” e Irfan Hysenbelliut ka marrë pagesa sistematike nga kompanitë e inceneratorëve.
Vetëm në gjysmën e parë të 2021, “Focus Media News” në Shqipëri, mori gati 100 milionë lekë [800 mijë euro] nga kompania e Klodian Zotos, të inceneratorëve.
Këto pagesa kanë ardhur në formë reklamash, edhe pse Focus Media News, nuk ka publikuar asnjë reklamë me muaj të tërë./Zoom.al