zoom

In Zoom

Si e shiti kryeministri SKANDALIN e pagave për normalitet të përvitshëm

“Ministria e Financave dhe Ekonomisë po përgatit denoncimin zyrtar për prokurorinë, në kërkim të zbardhjes së kësaj ndërhyrjeje kriminale në databazën e pagave të qytetarëve të Republikës së Shqipërisë,” – do të deklaronte pak muaj më parë, zëdhënësi i qeverisë, Endri Fuga, lidhur me publikimin e listës së pagave të tatimpaguesve shqiptarë.

Në dhjetor të 2021-shit, pagat e rreth 630 mijë punonjësve në sektorin publik dhe atë privat, rrodhën në rrjetet sociale, duke i dhënë kështu akses gjithkujt mbi të dhënat e kujtdo. Ngjarje që nxiti një efekt zinxhir nervozimesh dhe fajësimesh deri sa fajtorët u gjetën.

Por, plot 5 muaj më vonë, 16 majin e 2022-shit, kryeministri i vendit, Edi Rama, krah ministres së Financave tha se publikimi i pagave mund të kthehet në një aktivitet normal, njëherë në vit në Shqipëri. Dhe kjo mund të ndodhë në një Këshillim Kombëtar të ardhshëm, pra duke pyetur qytetarët.

Ndërkohë po vetë Rama e cilësonte skandaloze publikimin e pagave në dhjetor 2021 duke i kërkuar Prokurorisë që të hetonte burimin fillestar.

Por, eksperienca ka treguar se një taktikë e shquar e kryeministrit dhe kabinetit të tij është normalizimi i situatave, që në fakt qëndrojnë shumë larg normalitetit.

Ai ishte ndër simpatizantët më të mëdhenj të patronazhistëve, duke e quajtur veten si “kryepatronazhisti” apo “patronazhisti më i gjatë” dhe duke i falenderuar ata pa fund. Lista e patronazhistëve e publikuar pak para zgjedhjeve të 2021-shit shkundi opinion publik dhe mesa duket e parapërgatiti atë për rrjedhjen e listës së pagave e pastaj të targave. Aq madje sa qytetarët prisnin publikimet e radhës, pa ndonjë habi të madhe.

Duhet riktheksuar se qytetarët shqiptarë gëzojnë të drejtën e ruajtjes së anonimitetit dhe të dhënave personale, siç mund të jenë edhe të ardhurat. Përveç se cënim i të dhënave individuale, publikimi i pagave të qytetarëve dëmton shoqërinë, familjet, fëmijët. Hendeku i të varfërve dhe të pasurve thellohet. Paragjykimet, diskriminimet po ashtu.

Por ky është, sipas Ramës, një vetërregullim i sistemit, me kontekstin e uljes së informaliteteve në paga nëpër bizneset private. E parë në këtë këndvështrim, ai është më shumë dështim i shtetit për të luftuar informalitetin në sektorin e pagave.

Me të gjitha arsyetimet e dhëna, qoftë edhe efekt pozitiv, një “raportim vjetor” pagash nuk mund të jetë kurrsesi normal. Nëse thonë se duan të luftojnë informalitetin, ngërçin ta kërkojnë diku tjetër! /Zoom.al