zoom

Aktualitet

“Shtrihu, shtrihu!”/ Zbardhet dëshmia e Bilbil Majës: Vëllezërit Rraja më drejtuan armën në bark

Zbardhet dëshmia që Bilbil Maja, një nga të dhunuarit nga fisi Rraja për guroren në Borizanë, ka dhënë para policisë.

Sipas Bilbil Majës, në momentin kur ndodhi ngjarja, ai ka qenë në lokal me kushëririn duke folur me inixhinerin e firmës.

Më pas, në një moment sipas tij, me armë në dorë janë afruar vëllezërit Xhelal dhe Flamur Rraja.

Nën kërcënimin e armës, fillimisht vëllezërit Rraja i kanë kërkuar Bilibil Majës të shtrihej përtokë, ndërsa më pas kanë ardhur edhe të tjerët me shkopinj bejsbolli.

“Isha në lokal dhe po pija kafe me kushëririn dhe inxhinerin e firmës kur erdhën Xhelal Rraja dhe Flamur Rraja. Ata më drejtuan armën në bark dhe më thanë “Shtrihu, shtrihu”. Në lokal pashë që kur u shtriva në dysheme u futën edhe katër persona të tjerë, ishte edhe “Caku” që është pronar i gurores. Kishin në duar shkopinj me të cilët na godisnin. Flamur Rraja më ka goditur me shulin e pistoletës, kurse Xhelal Rraja më goditi nga mbrapa në shpinë me qytën e pistoletës”, ka thënë në polici Bilbil Maja.