Aplikacion
Në fakt, i gjithë 2022-shi, për euron në Shqipëri ka qenë “pushim”. Monedha arriti vlerën më të ulët, 1=112 lekë. Trend që tragjikisht po e ndjek dhe për 2023-shin.
Nëse pyet Bankën e Shqipërisë, Guvernatori do të thotë se kjo ndodh sepse “në qarkullim ka shumë euro dhe oferta për të është më e lartë se kërkesa”, por asgjë më shumë.
Përgjigja e plotë do të ishte “në qarkullim ka shumë euro…të pisët”. Fjali që na është thënë shpesh, por askush nuk na e ka treguar nga vjen kjo euro e pisët, pse vjen dhe kur vjen, ku futet?
Në komunikimet me ekspertë të fushës (ata dëshirojnë tu ruhet anonimiteti), Zoom.al mori përgjigjet e këtyre pyetjeve, që duket se shpjegon një copëz të vogël të tortës së madhe me para të pisët në Shqipëri.
Nga vjen euro “e zezë”?
“Eurot vijnë nga aktivitete kriminale jashtë Shqipërie dhe këtu i sjellin sepse i ‘lajnë’ kollaj. Janë para korrupsioni, trafiku, vjedhjesh, por edhe para me djersë, por e paregjistruar. Ka shumë shqiptarë që kanë kursimet e tyre, por kanë punuar pa rregulla. Jashtë Shqipërisë nuk t’i pranon njeri”,-shpjegon njeri nga ekspertët.
Ai kujton raportin e fundit të Drejtorisë për Parandalimin e Pastrimit të Parave në Shqipëri, ku disa nga rastet e dyshuara për këtë aktivitet ishin shumat e larta që vinin nga jashtë, një ndër të cilat përfshihej edhe një person i ekspozuar politikisht, jashtë vendit tonë.
Por ai i jep merita edhe tregut vendas si faktor me rëndësi në zhvlerësimin e euros.
“Në Shqipëri çdo aktivitet ilegal bëhet në euro, pak më pak në dollarë. Në lekë pothuajse fare. Dhe flasim për miliona e miliarda euro, jo për mijëra. Vetëm nga bastet online në të zezë, në vit në Shqipëri qarkullojnë deri në 700 mln euro. E kupton për çfarë vlerash flasim?”
Pse vjen në Shqipëri?
“Shqipëria është bërë Panamaja e Europës. Këtu është shumë e lehtë të shmangësh kontrollet, detyrimet, deklarimet etj. Korniza ligjore për pastrim parash është pothuajse inekzistente”, -shprehet ai për Zoom.al.
Në fillim të vitit 2023, Shqipëria ra përsëri në listën gri të vendeve me rrezik të pastrimit të parave nga renditja që bën Bashkimi Europian. Aty përsëritej për të disatin vit me radhë se Shqipëria ka hapësirë për këtë aktivitet, si pasoje e boshllëqeve ligjore dhe mungesës së përkushtimit nga institucionet shtetërore.
Por institucionet shtetërore nuk janë të vetmet!
Ku “lahet” euro e pisët?
Në tregun imobiliar. Katalizatori është sektori bankar. Jo rastësisht, ky treg po funksionon vetëm me euro tashmë. Individë që krijojnë të ardhura nga aktivitete ilegale, tregojnë për Zoom.al rastin më të rëndomtë të pastrimit të parave në pasuritë e patundshme dhe ndihmën që jep banka. “Unë ble shtëpinë me cash, të padeklaruara sigurisht, por unë nuk mund të djeg veten. Kështu kërkoj kredi, (skema 60% kursime, 40% kredi). Banka e di situatën dhe pranon të më financojë mua. Madje banka pranon edhe t’ja shlyej kredinë për një kohë shumë të shkurtër dhe t’i paguaj penalitetin. Skemë tipike e pastrimit të parave”,- tregon ai duke qeshur.
Me fjalë të thjeshta, banka i lejon individit të kalojë lekët e papastra nëpërmjet saj tek tregu imobiliar. Automatikisht, kur banka futet midis një transaksioni të tillë, si autoritete tepër të besueshme dhe jetike për ekonominë e një vendi, paratë janë të justifikuara, po ashtu edhe blerja e shtëpisë. Ndër të tjera, ky fenomen ka një efekt shumë të madh në sistemin financiar, ku mund të sinjalizojë trende dhe vendimmarrje të gabuar, p.sh, normat e interesit.
Një agjent imobiliar thotë për Zoom.al se shumica e atyre që blejnë banesa, i kanë paratë “nën dyshek”. Ai thotë se ndërtimi në vetvete, është fushë me themele në paranë e pisët. “Janë njerëz që janë marrë me punë të pista dhe çfarë të bëjmë? Ndërtojmë një pallat. Nuk kanë shumë kreativitet, por është edhe treg që në Shqipëri duket sikur nuk do të vdesë kurrë”, -tregon ai.
Ai shton se paraja që vjen nga jashtë synon Tiranën, por më shumë bregdetin. “Të vjen dikush e të thotë ‘sa bën kjo vila këtu në bregdet’? 100mijë euro i thua ti. ‘Në rregull më bëj 5’. Nuk ka asgjë që e shpjegon ndryshe”.
Përtej euros ilegale, presion ndaj kursit të këmbimit krijon edhe ajo e ligjshme, e cila po ashtu përdoret pa masë, nga institucionet shtetërorë, tek privatet. Disa vite më parë BSH paraqiti platformën e De-euroizimit, që synonte uljen e përdorimit të monedhës euro në vend, por thjesht ka harruar të na njoftojë se platforma dështoi. Bashkë me detyrën e saj për të monitoruar bankat tregtare, që mund të themi troç, se janë bërë lavatriçe për paranë e zezë./ Shkruar nga G.T për Zoom.al