zoom

Ekonomi

Shqipëria ndër të paktat vende në Europë me TVSh 20 për qind për ushqimet

Shqipëria është pjesë e një grushti të vogël vendesh të Europës që nuk aplikon TVSh të reduktuar për ushqimet e shportës, megjithëse veç pandemisë dhe krizës së çmimeve vendi u godit edhe nga tërmeti i 2019-s.

Të dhënat e analizuara nga Open Data Albania nxjerrin në pah se vetëm Shqpëria, Danimarka, Lituania, Estonia dhe Bosnja nuk kanë TVSh të diferencuar për produktet ushqimore, ndërsa të gjitha vendet e tjera të Bashkimit Europian dhe të rajonit aplikojnë reduktime në nivele të ndryshme.

TVSh-në më të lartë e ka Danimarka me 25 për qind, ndjekur nga Lituania me 21 për qind. Shqipëria pason fill pas tyre me 20 për qind bashkë me Estoninë. Në rajon, vetëm Bosnja është si Shqipëria që nuk aplikon normë të reduktuar TVSh-je për ushqimet, por dallimi është se TVSh-ja standarde në Bosnje është më e ulët se ajo në Shqipëri me 17 për qind.

Nga vendet e BE-së janë tre shtete që e kanë zero TVSh-në për ushqimet, Belgjika, Irlanda dhe Malta. Franca aplikon TVSh vetëm 2 për qind për ushqimet, Italia e Spanja nga 4 për qind, Gjermania 7 për qind, Greqia 13 për qind.

Në Ballkanin Perëndimor, normën më të ulët të TVSh-së së ushqimeve e ka Maqedonia e Veriut me vetëm 5 për qind ndjekur nga Mali i Zi me 7 për qind, Kosova 8 për qind dhe Serbia 10 për qind.

TVSh-në standarde më të lartë në Europë e ka Hungaria me 27 për qind, por kur vjen puna te ushqimet, edhe ajo aplikon një normë të reduktuar prej vetëm 5 për qind./gazetasi.al