zoom

Ide & Blog

Shqipëria dhe Serbia më 2027: Një tradhti historike e kujtimeve të Luftës dhe Drejtësisë

Njoftimi se Shqipëria do të organizojë Kampionatin Evropian U-21 me Serbinë në 2027, shpërfill brutalitetin serb dhe tradhton kujtimin e viktimave të luftës.

VUDI XHYMSHITI – The Frontliner

Njoftimi i fundit që Shqipëria, përmes Federatës së saj të Futbollit (FSHF), planifikon të organizojë Kampionatin Evropian U-21 të vitit 2027 me Serbinë, nuk është thjesht një çështje e diplomacisë sportive, por një kujtesë e thellë e plagëve të pashëruara në Ballkan. Edhe pse nuk jam shumë i njohur me hollësitë e futbollit, implikimet politike dhe historike të një vendimi të tillë nuk mund të injorohen, veçanërisht nga ata që mbajnë mend realitetet brutale të së kaluarës jo shumë të largët.

Vetëm 25 vjet më parë, rajoni i Kosovës, tani një republikë krenare dhe e pavarur, u përball me një fushatë të ashpër pastrimi etnik, e orkestruar nga forcat e armatosura serbe nën regjimin e Slobodan Milosheviçit. Kjo fushatë u shënua nga krime të shumta, përfshirë masakra, përdhunime sistematike dhe zhvendosjen e detyruar të qindra mijëra shqiptarëve të Kosovës. Fshatrat e qytetet u shkatërruan, familjet u vranë e masakruan dhe trashëgimia kulturore e një populli u shkatërrua, operacion ky që kishte për qëllim për të fshirë ekzistencën e tyre në rajon. Arkitekti i politikës ‘moderne’ serbe, Presidenti Aleksandar Vuçiç, atëherë ishte një anëtar prominent i administratës së Milosheviçit, detyra e tij kryesore ishte arsyetimi i këtyre akteve të tmerrshme në sy të botës.

Sot, pavarësisht kalimit të një çerek shekulli, hijet e atyre ditëve të errëta mbeten të mëdha mbi Kosovën. Serbia, nën të njëjtin udhëheqje që dikur mbrojti krimet e luftës, vazhdon të shpalos pretendime mbi territorin e Kosovës, duke shfaqur një mohim të shqetësueshëm për të pranuar krimet e së kaluarës jo shumë të largët.

Krejt kjo që e shpalosa më lartë, e bën vendimin e FSHF-së për të bashkëpunuar me Serbinë jo vetëm një lëvizje të diskutueshme në aspektin e politikës rajonale, por një tradhti ndaj kujtimeve të atyre që kanë vuajtur nga agresioni serb. Si mund të përshtatet Shqipëria, një komb që pretendon të përfaqësojë të gjithë shqiptarët, përfshirë ata në Kosovë, në një mënyrë kaq të rëndësishme publike me një vend që ende nuk ka pjekuri të mjaftueshme për të njohur dhe respektuar fqinjët e saj ose për të kompensuar për të kaluarën e saj ç’njerëzore?

Ky partneritet nuk është thjesht një ndërmarrje e përbashkët në fushën e sportit; është një shpërfillje e dukshme e viktimave të brutalitetit të regjimit të Milosheviçit. Ky partneritet përpiqet t’ia laj imazhin Serbisë shoveniste në kurriz të shqiptarëve, po të atyre shqiptarëve që Serbia i konsideron të mirë, vetëm atëhere kur ata janë të vdekur. Ky partneritet, është një goditje në fytyrë për mbijetuesit dhe kujtimet e të vdekurve, duke minimizuar rëndësinë e gjenocidit që u ndal vetëm nga ndërhyrja e NATO-s.

Të gjithëve dhe veçanërisht Kryeministrit Edi Rama të Shqipërisë, të cilët përpiqen të paraqesin këtë si një hap drejt bashkëpunimit rajonal, duhet t’iu kthej vëmendjen se një bashkëpunim i sinqertë mund të ngrihet vetëm mbi shtyllat e së vërtetës, drejtësisë dhe respektit të ndërsjelltë — vlera të cilat Serbia ka dështuar të tregojë në mënyrë të përsëritur. Serbia është fajtorja kryesore e pothuajse çdo gjakderdhje në Ballkanin Perëndimor gjatë dy shekujve të fundit dhe vazhdon të refuzojë pranimin e së kaluarës së saj të errët dhe të sjellë veten në rrugën e civilizimit. Serbia aktualisht udhëheq veprime politike për mohimin e Gjenocidit në Bosnjë dhe Hercegovinë dhe ka një marrëveshje të qartë për koordinimin e politikave të saj të jashtme me Moskën. Po bëhet Shqipëria një ‘postbllok’ i gjeopolitikës ruse në Europë, ashtu si Hungaria dhe Serbia? Nga zhvillimet aktuale, duket se po, të paktën kjo është ajo që tregon narrativa politike e Kryeministrit Rama, i cili mbështet në mënyrë të pakursyer agresionin politik dhe kushtetues të Serbisë ndaj Kosovës.

Duke ecur përpara me këtë plan pa marrë parasysh plagët e thella të lëna nga e kaluara, Shqipëria rrezikon të huqet jo vetëm me vëllezërit e saj në Kosovë, por me të gjithë ata që qëndrojnë për drejtësi dhe llogaridhënie historike në marrëdhëniet ndërkombëtare. Vendimi për të bashkuar duart me Serbinë në organizimin e një kampionati evropian është më shumë se një gabim sportiv; është një gabim historik dhe etik, një shërbim i keq ndaj parimeve të dinjitetit dhe drejtësisë për të gjithë ata të prekur nga agresionet e kaluara të Serbisë. /ZOOM.AL/