zoom

Bota

Shkëlqimi dhe rënia e Albin Kurtit në 9 muaj

Kosova mbajti dje raundin e dytë të zgjedhjeve lokale, i cili në fakt, sa i përket rezultatit, nuk ndryshon shumë nga raundi i parë që u mbajt më 17 tetor. 

Partitë e opozitës shënuan sërish një fitore të thellë kundrejt Vetvendosjes në pushtet. Nga 21 komuna që ishin në garë, forcat opozitare fituan në 17 prej tyre, ndërsa Vetëvendosja mundi të marrë vetëm 4. Në fakt këto janë komunat e vetme që mundi të marrë LVV në të dyja raundet, pasi më 17 tetor kandidatët e saj nuk ishin shpallur fitues në asnjë komunë. 

Por sikur të mos mjaftonte kjo, LVV e Albin Kurtit humbi edhe në komunat e rëndësishme që drejtonte deri më tani, përfshi Prishtinën, Prizrenin dhe Gjakovën.

Një disfatë e thellë kjo për Albin Kurtin, i cili vetëm 9 muaj më parë, në zgjedhjet parlamentare të 14 Shkurtit, arriti të fitojë i vetëm mbi 50 për qind të votave, duke siguruar shumicën absolute për të qeverisur pa pasur nevojë për koalicion me parti të tjera. 

Pra në 9 muaj Kurti përjetoi kulmin dhe rënien e tij politike. Dhe kjo duket se ka disa arsye. 

Së pari në zgjedhjet e 14 shkurtit ai arriti, falë edhe bashkëpunimit me Vjosa Osmanin, të krijojë një frymë pozitive dhe shpresë te qytetarët kosovarë. 

Natyrisht që vota për LVV-në më 14 shkurt ishte edhe një lloj shpagimi për padrejtësinë që i bënë partitë opozitare më 2020 kur falë makinacioneve arritën ta largojnë nga pushteti edhe pse qytetarët e kishin votuar për të qënë ai kryeministër.

Nga ana tjetër humbja në zgjedhjet e shkuara parlamentare, bëri që partitë opozitare të reflektojnë dhe të nisin një proces të thellë transformimi që u finalizua me zgjedhjen e Lumir Abdixhikut dhe Memli Krasniqit, respektivisht në krye të LDK-së dhe PDK-së.  Dy figura të reja, të pakonsumuara në politikën kosovare dhe mbi të gjitha qytetare.

Por më shumë se një fitore e partive opozitare, pavarësisht përpjekjeve transformuese dhe fushatës qytetare që zhvilluan, kjo është një humbje për shkak të vet LVV-së dhe në mënyrë të veçantë te Albin Kurtit. Kjo pasi gjatë 9 muajve të qeverisjes së tij ai është fokusuar më së shumti te politika e jashtme dhe marrëdhëniet me Serbinë, duke u përpjekur të bëjë për vete kosovarët nëpërmjet nacionalizmave. 

Pak para fushatës ai krijoi një konflikt të kotë me Serbinë sa i përket çështjes së targave dhe më pas shkaktoi një tjetër tensionim në komunat me shumicë serbe gjatë operacionit antikontrtabandë. Në të dyja rastet Kosova doli e humbur, pasi qeveria ishte e pafuqishme të siguronte rend në territorin e saj, çka la një shije jo të mirë te qytetarët kosovarë që panë sesi forcat e tyre të sigurisë u bllokuan në Jarinjë dhe Bërnjak nga serbët. 

Një politikë kjo që në fakt kishte dështuar shumë kohë më parë dhe që nxorri nga skena politike shumë figura të njohura të politikës kosovare, të cilët jetën e tyre politike e kishin lidhur me luftën dhe UçK-në.

Dhe sa i përket politikës së brendshme, Kurti në këto 9 muaj thuajse nuk ka bërë asgjë për të përmirësuar jetesën e qytetarëve të vet. Madje përkundrazi, qeveria e tij në disa fusha, siç është shëndetësia dhe menaxhimi i pandemisë, mund të themi se ka dështuar. 

Kosova ishte shteti i fundit në Ballkan që morri vaksinën anti-covid, ndërsa gjatë verës për shkak të masave të gabuara të qeverisë, përjetoi edhe situatën më të vështirë pandemike, të shoqëruar me një numër të madh viktimash. 

Një tjetër faktor që ka ndikuar në rezultatin negativ të LVV-së në këto zgjedhje është edhe fushata e dobët që bëri. Në qendër të saj u vendos pikërisht Albin Kurti, ndërsa kandidatët u prezantuan vetëm në momentet e fundit, pa bërë asnjë punë paraprake në elektorat.

Rasti më domethënës në këtë drejtim ishte ai i Arben Vitisë, i cili vetëm dy javë para zgjedhjeve të 17 tetorit la detyrën e ministrit dhe shpalli kandidaturën për kryetar të komunës së Prishtinës.

Një sjellje kjo që qytetarët e Kosovës e kishin refuzuar edhe më parë. Zoom.al