zoom

Sport

Shkëlqejnë legjionarët, Seferi, Vrioni dhe Cikalleshi protagonist në kampionatet respektive

Futbollistët e Kombëtares shqiptare zhvilluan paraqitje pozitive me klubet e tyre në fundjavën që lam pas. Sokol Cikalleshi, Taulant Seferi dhe Giacomo Vrioni ishin protagonist në ndeshjet respektive.

Seferi duket në një formë mjaft të mirë në kampionatin ukrainas me ekipin e Vorskla Poltava. sh-sulmuesi i Tiranës të shtunën realizoi një dopietë nga pika e bardhë e penalltisë, ndërsa dhuroi edhe një asist.

Giacomo Vrioni i dha tre pikë mjaft të rëndësishme skuadrës së tij në kampionatin amerikan. Sulmuesi realizoi dy gola në harkun kohor të katër minutave, ndërsa e ka çuar në gjashtë numrin e golave të shënuar për New England Revolution deri më tani.

Ndërkaq, sulmuesi tjetër i kombëtares, Sokol Cikalleshi vazhdon me formën e tij të mirë, duke gjetur rrjetën në miqësoren që skuadra e tij Al-Khalej fitoi 2-0 ndaj Al-Qadsiah.

Edhe futbollistët e tjerë të kombëtares shqiptare po kalojnë një formë mjaft të mirë me klubet respektive ku pjesa më e madhe e tyre janë aktivizuar si titullarë në skuadrat e tyre, si: Ismajli, Hysaj, Balliu, Mihaj, Veseli, Abrashi, Gjasula, Ramadani, Bare, Bajrami, Asani e Uzuni, ndërsa minuta pati edhe për mesfushorin kuqezi të Interit, Kristjan Asllani, në sfidën ndaj Empolit. /zoom.al/