Aplikacion
Një burrë i përfshirë në drejtimin e një rrjeti të organizuar shfrytëzimi seksual që operon në disa nga lagjet më luksoze të Dubait është identifikuar, sipas një hetimi të publikuar nga BBC World Service.
Raporti zbulon se klientët e pasur në Dubai paguajnë shuma që nisin nga 1,000 dollarë për person, për të marrë pjesë në festa seksuale ku u ofrohen gra që, sipas burimeve, janë të gatshme të bëjnë “pothuajse gjithçka” që u kërkohet.
Gratë e përfshira në këto rrjete shpesh paraqiten si influencere të rrjeteve sociale që vijnë nga vende të ndryshme të botës. Pas imazhit të jetës luksoze që shfaqin online, qëndron një realitet i fshehur i shfrytëzimit seksual, ku shumë prej tyre pranojnë t’i nënshtrohen abuzimeve në këmbim të përfitimeve financiare.
Hetimi i “BBC” thellon më tej këtë fenomen, duke zbuluar se, përveç influencereve, gra nga Uganda janë mashtruar për të udhëtuar drejt Emirateve të Bashkuara Arabe, me premtime për punësim të ligjshëm në supermarkete apo hotele. Sapo mbërrinin në Dubai, ato përfundonin viktima të trafikimit dhe shfrytëzimit seksual.
Sipas rrëfimeve të vetë viktimave, ato nuk ishin në dijeni të qëllimit të vërtetë të udhëtimit të tyre dhe vetëm pas mbërritjes kuptuan se ishin futur në një rrjet prostitucioni të kontrolluar nga burri i identifikuar në raport si Mwesigwa.
Ky hetim tronditës i BBC-së hedh dritë mbi një rrjet të gjerë abuzimi dhe trafikimi që operon nën hijen e luksit dhe fasadës së influencës sociale në një nga qytetet më të pasura të botës./ Zoom.al