Aplikacion
Debatet nisën që në momentin kur kreu i partisë “Mundësia”, Agron Shehaj kërkoi interpelancë me ministren Belinda Balluku për koncesionin e rrugës Thumanë-Kashar.
Por kryeparlamentarja Elisa Spiropali iu përgjigj duke thënë se Balluku ndodhet jashtë vendit. Pak minuta më vonë, Balluku nxori në shesh gënjeshtrën e Spiropalit dhe u shfaq në sallën e Parlamentit.
Në mënyrë të përsëritur, Agron Shehaj kërkoi sqarime prej saj për Thumanë-Kashar, duke bllokuar foltoren. Për pasojë, deputetët e tjerë të opozitës nuk u lejuan të flisnin. Kjo acaroi Flamur Nokën dhe Xhelal Mziun. Në një moment, Noka e shtyu Shehajn nga foltorja, ndërsa Mziu e lagu me ujë nga distanca.
Pjesë nga debati:
Agron Shehaj: Kam 6 muaj që kërkoj të bëj interpelancë me ministren Balluku, që ka 6 muaj që fshihet dhe sot i përsërita të njëjtën kërkesë kryetares, e cila tha se ministrja nuk ishte në Shqipëri. Interpelancën e bëj për një vjedhje prej 1. 3 mld eurosh për 20 km që Edi Rama po vjedh përmes një oligarku. Pasi thanë që Balluku nuk ishte këtu, erdhi Balluku me vrap”
Elisa Spiropali: Lësho foltoren se do ju përjashtoj nga seanca. E di që ju si parti e re doni të nxirrni jashtë loje këta të vjetrit, po bëjeni me fjalë se po qe për bllokim foltoreje, revolucion ua kalojën ata se kanë më shumë eksperiencë.
Ministrja është jashtë shtetit, do caktohet në kalendar sipas procedurës dhe do njoftoheni.
Agron Shehaj: Nga 4 maji çdo qytetar duhet të paguajë të paktën 5 mijë lekë për një rrugë prej 20 km kjo është e vërteta. Po bëj një betejë për një PPP prej 1.3 mld euro. Pse duhet të dal! Se nuk duhet t’i kërkoj llogari Belindës për kontratën 1.3 mld euro. Më jep fjalën 5 minuta.
Elisa Spiropali: Dil nga seanca je i përjashtuar! Fjalën e ka Gjekmarkaj.
Agron Shehaj: Mos u bëj vegël e maxhorancës për të bllokuar fjalën e një deputeti që kërkon llogari për një skandal 1.3 mld euro. Kjo loja që ndodh në parlament, teatri është turp i vërtetë. 1.3 mld euro dhe askush nuk thotë një gjysmë fjalë. Si një kontratë 13 vjecare u kthye e u bë 35 vjeçare. Të kanë votuar të luftosh maxhorancën e jo të bëhesh palë.
E hëngrët turpin me bukë! Kolegë të opozitës duhet të dallohemi, dilni nga rreshti, bëni për njerëzit e qytetarët që vidhen cdo ditë. Sot kanë parë dëshminë e pazareve për maxhorancën. Pazari u bë këtu. E gjetën marrëveshjen.
Pas situatës së krijuar, Elisa Spiropali njoftoi Gardën ta nxirrte jashtë Shehajn.