zoom

Aktualitet

Shefi i Gardës, Ermal Onuzi pa certifikatë sigurie

Prej 6 muajsh në detyrë, Drejtori i Gardës së Republikës, Ermal Onuzi, është pa certifikatë sigurie, mbasi Drejtoria e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar nuk e ka pajisur ende dhe arsyeja është e rëndë.

Sipas dosjes personal dhe Regjistrit të Drejtorisë së Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar, rezulton se Drejtorit të Gardës, Ermal Onuzi, i është hequr përgjithmonë çertifikata e sigurisë, në muajin shkurt 2023, kur u shkarkua nga detyra Zv/drejtor i Përgjithshëm i Agjencisë së Inteligjencës e Sigurisë së Mbrojtjes (AISM).

Ai u shkarkua me kërkesë të zyrës së NATO-s në Ministrinë e Mbrojtjes, për cënim të sigurisë së informacionit klasifikuar, duke i shitur në grupe interesi e agjenci të huaja, dhe për kontakte me eksponentë të botës së krimit edhe në trafikun e armëve.

Në datën 6 shtator 2024, ai u emërua drejtor i Gardës, siç kishte urdhëruar Babloku, ndërsa Ministri i Brendshëm, Ervin Hoxha i dha gradën “Drejtues madhor”; por pavarësisht se për të u bë ligj i posoçëm, ai ushtron detyrën në shkelje të ligjit.

Lidhjet me krimin

Lidhjen me krimin, Ermal Onuzi e nisi në vitin 2005 me dhëndrin e Sali Berishës, Feriz Breçanin, kur bashkë me të ishte shef sektori gjurmimi të trafiqeve në Shërbimin Informativ të Ushtrisë.

Në 6 raporte të SHISH e Anti-Trafikut në vitet 2006-2009, të cilat janë në arkivën e Policisë së Shtetit, Prokurorisë e Ministrisë së Mbrojtjes, thuhet se Feriz Breçani e Ermal Onuzi, funksionarë të Shërbimit Informativ të Ushtrisë, lejonin dhe nuk raportonin trafik droge e armësh, prej personave nga Tropoja, Kukësi, Dibra, Podgorica e Gjakova, madje dhe me automjet te ushtrisë me logo të Shërbimit Informativ të Ushtrisë e Policisë Ushtarake.

Bashkëpunim me krimin, Drejtori i Gardës, Ermal Onuzi, ka bërë në 18 raste të konstatuara nga policia, SHISH e Anti-krimi në periudhën mars 2023-janar 2024, kur ishte drejtor operacionesh anti-trafik e anti-kontrabandë te kompania e sigurisë “S2 Secure Albania” në Portin e Durrësit.

Gjatë dëshmive të personave të arrestuar dhe gjatë hetimeve, Ermal Onuzit i ka dalë emri si organizator, në 3 raste të anijeve me naftë kontrabandë, por policia e prokuroria nuk e futën në hetim, pas ndërhyrjeve të familjarëve të tij me pushtet ekonomik.

Emri i krye-gardistit Ermal Onuzi, doli dhe më 8 dhjetor 2023 kur ishte shef kontrolli në Portin e Durrësit; dhe nga hetimet, rezultoi se lejoji konteinerin e Bana-King me 55 arka kokainë.

Sipas dëshmive të personave të arrestuar, konteineri u lejua të dilte pa kontroll nga Porti, me ndikim të Ermal Onuzit dhe shkoi te një parking në Shkozet, ku u shkarkuan arkat me kokainë,

Pas 4 orësh, po me ndikim të tij, konteineri u rikthye përsëri brenda Portit Detar-Durrës, por Ermal Onuzin nuk e futën në dosjen hetimore, ndërsa pas 1 muaji, për ta lenë në harresë e tranferuan shef sigurie në Aeroportin e Rinasit.

Në vijim, do flasim për zullumet e Drejtorit të Gardës, Ermal Onuzi, gjatë 7 muajve në Rinas; për rolin me municionet që shkonin në Gërdec; për historitë gjatë punës në SHISH në vitet 2009-2022, mes tyre dhe faktin, që acarohet kur i përmendet rasti i ish-Zv/drejtorit të SHISH-Durrës, Isa Çopja, që më 24 tetor 2011 u gjet i djegur brenda makinës te Currilat.

Postime të lidhura