zoom

Bota

SHBA ngre alarmin/ Irani do të sulmojë Izraelin, do të ketë pasoja

Irani po përgatitet të nisë “së shpejti” një sulm me raketa balistike ndaj Izraelit, sipas një zyrtari të lartë të administratës amerikane.

Zyrtari gjithashtu paralajmëroi për “pasoja të rënda” nëse sulmi ndodh. Njoftimi u bë i ditur pasi ushtria izraelite filloi, siç tha, një operacion të kufizuar tokësor kundër grupit Hezbollah, në Liban. Izraeli paralajmëroi banorët që të largoheshin nga disa dhjetëra fshatra kufitare të Libanit me Izraelin.

Irani do të përballet me pasoja të rënda nëse kryen një sulm me raketa balistike, tha një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë duke folur për shtypin amerikan në kushte anonimiteti.

Zyrtari tha se Teherani duket se po përgatitet të fillojë në çdo moment, një sulm me raketa balistike ndaj Izraelit.

Media shtetërore e Iranit nuk ka njoftuar për ndonjë sulm të afërt. Zyrtarët iranianë nuk mund të kontaktoheshin menjëherë për një koment.

Zëdhënësi i ushtrisë izraelite Daniel Hagari tha se ushtria është e gatshme të mbrohet dhe shtoi se Izraeli dhe aleatët e tij janë në një gjendje të lartë gatishmërie dhe çdo sulm nga Irani do të kishte pasoja.

Disa orë para këtij njoftimi zoti Hagari tha se ushtria izraelite kishte filluar një operacion të pjesshëm tokësor në disa fshatra kufitare libaneze. Qëllimi i operacionit është të goditen zonat e kontrolluara nga grupi militant Hezbollah, që ka mbështetjen e Iranit. Grupi Hezbollah është shpallur si organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara.

“Hezbollahu i ktheu fshatrat libaneze pranë fshatrave izraelite në baza ushtarake, nga ku mund të kryejë sulme ndaj Izraelit. Hezbollahu ishte përgatitur t’i përdorte ato si terrene për një sulm të llojit të 7 tetorit, në shtëpitë izraelite”, tha Daniel Hagari, zëdhënës i ushtrisë izraelite

Përshkallëzimi i situatës ka alarmuar disa shtete për rrezikun e shpërthimit të një lufte të gjërë.

Sekretari i Jashtëm britanik David Lammy tha të martën se çmimi i një lufte rajonale do të ishte “i madh”

“Ne po flasim me kolegët dhe homologët iranianë. Askush nga ne nuk dëshiron të shohë një luftë rajonale. Çmimi do të ishte i madh për Lindjen e Mesme dhe do të kishte ndikim edhe në ekonominë globale”, tha kryediplomati britanik Lammy.

Ministri izraelit i mbrojtjes Yoav Gallant e pranoi se ditët në vijim nuk do të jenë të lehta.

“Ne kemi ditë të rënda përpara nesh, ditë sfiduese dhe mendoj se kemi dërguar njerëz atje të cilëve mund t’u besojmë”, tha ministri Gallant.

Të dyja palët kanë vazhduar edhe sulmet ajrore ndaj njëra tjetrës.VOA