zoom

Aktualitet

Seanca e “Gërdecit” u shty, Mediu: Dëshmitarët refuzojnë të flasin, Prokuroria i thirri formalisht!

Ish-ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu, deklaroi pak pas shtyrjes së seancës së radhës nga GJKKO për dosjen “Gërdeci”, se emrat që janë thirrur si dëshmitarë në sallën e gjyqit, janë marrë formalisht.

Ai tha për mediat se dëshmitarët e Prokurorisë refuzojnë të dëshmojnë, ç’ka tregon se edhe Prokuroria i ka sjellë si dëshmitarë formalë.

“Besoj është gjëja më e drejtë që nëpërmjet pyetjeve të dalë e vërteta. Letër-porositë janë një akt formal. Nuk e kuptoj pse nuk u bë në atë formë kur drejtësia amerikane e ka mundësuar.

Duket që Prokuroria nuk po jep asnjë të dhënë të re. Dëshmitarët e Prokurorisë refuzojnë dëshminë. Mospërgjigja e tyre tregon që edhe Prokuroria i ka sjellë si dëshmitarë formalë”, tha ai.

Debate sot në sallë ka shkaktuar edhe mënyra se si do merret dëshmia e 5 shtetasve amerikanë, sa i takon procesit të Gërdecit. Gjykata ka pohuar se do t’i qëndrojë vendimit për pyetjen e tyre mes letër-porosive, ç’ka ka hasur në kundërshtinë e avokatëve, që kanë kërkuar pyetje përmes video-konferencës.

Pavarësisht pretendimeve, gjykata ka vendosur që shtetasit amerikane t’i pyesë përmes letër-porosisë. Seanca e radhës mbahet më 9 prill. /ZOOM.AL/