zoom

Bota

“S’e kuptoj me kë po flas”! Zelensky: Nuk jam i sigurt nëse Putini është gjallë

Gjatë një fjalimi në samitin e Davos, presidenti ukrainas, përveç kërkesës për më shumë armë vuri në dyshim edhe faktin nëse lideri i Kremlinit është gjallë.

Duke iu drejtuar audiencës në Forumin Ekonomik Botëror në Davos, Zelensky përsëriti thirrjen e tij për aleatët perëndimorë të Ukrainës, që të dërgojnë më shumë armë në Kiev, përpara se Rusia të nisë sulme të reja.

Zelensky foli edhe për çështjen e bisedimeve të paqes midis Ukrainës dhe Rusisë dhe rrëzimin e helikopterit të djeshëm pranë Kievit, i cili mori jetën e ministrit të brendshëm të Ukrainës.

Por ndër komentet e presidentit ukrainas për taktikat e luftës ruse, ajo që shkaktoi sensacionin më të madh ishte nëse Putini është gjallë.

“Për momentin nuk e kuptoj se me kë po flas. Nuk jam i sigurt nëse presidenti i Rusisë është ende gjallë. Nuk e kuptoj nëse është ende gjallë dhe nëse i merr vendimet ai”, tha Zelensky.

Nuk ka asnjë provë që Putini është i sëmurë, por herë pas herë flitet se një truprojë mund të ketë zëvëndësuar Putinin në disa dalje publike.