Aplikacion
Heqja e kufizimit të lirisë për liderin e opozitës nuk përbën asnjë indicie për zbutjen e regjimit. Ajo nuk ka të bëjë, as me fitoren ndaj një mase të padrejtë, as me një kthim të arsyes, as me kushte më të barabarta për opozitën, në raport me zgjedhjet dhe mbi të gjitha, as nuk është një sinjal se KAPSI u ribë SPAK.
Edhe pas vendimit të gjyqtares Floreja Davidhi, askush nuk duhet të ketë iluzione se drejtësia u rikthye papritmas të jetë mbi palët.
Duke mos ditur ende kulisat e kësaj “surprize”, zyrën ku u vendos për të apo, kalkulimet që janë bërë, i vetmi instrument për të spjeguar të tashmen e panjohur është dekriptimi përmes së shkuarës së afërt, pra asaj që ka ndodhur deri më tani.
Izolimi një vjeçar i kreut të PD-së, u bë i mundur falë atmosferës që krijoi një non grata e lobuar nga Tirana dhe e parashpallur nga goja e rivalit të vet të drejpërdrejtë politik. Edi Rama iu drejtua SPAK ut nga kongresi i PS: “durimi ynë po soset”. Partia Socialiste bëri manovra dhe hartoi projektligje për përjashtimin e tij nga politika. Për të realizuar këtë qëllim prokurotët sajuan një dosje të dobët si ajo e klubit Partizani.
Natyrisht, një pjesë e mirë e shqiptarëve nuk do të ishin të çuditur nëse për mëkatet e një qeverisjeje të ushtruar për 13 vite, Sali Berisha të gjendej pas hekurave, por me kriteret që u zgjodhën për ta arritur këtë, mund të burgosej çdo njeri që ka ushtruar edhe fare pak pushtet. Kjo i nxori në pah dy standartet e drejtësisë së re dhe përforcoi dyshimet se ajo po përdoret si një armë për eleminimin e kundërshtarëve politikë.
Po deri këtu dakord mund të thotë dikush. Po a s’kemi të drejtë të shpresojmë? A mund ti shohim gjërat pak më ndryshe? A mund të ketë lëvizur diçka pas zgjedheve në Amerikë? Apo mos vallë ndërkombëtarët e kuptuan se i doli boja me sehirin ndaj përdorimit të një pushteti të pavarur? Ndoshta, kur po e shohin se Rama po përpiqet ti shfrytëzojë zgjedhjet e ardhsme për ti dhënë vetes pushtet absolut, janë ata që në pamundësi për ta ndaluar, po duan të krijojnë përmes PD-së, së paku ekuilibër politik?
Të gjitha këto pandehma bëhen edhe më të besueshme kur i shton një tjetër logjikë: a ka thënë opozita se kryeministri e do të burgosur opozitën, a nuk i kanë shtuar kësaj se ai e kotrollon drejtësinë dhe a nuk bëjnë këto të dyja një paradoks në raport me atë që ngjau? Pra, sipas këtij arsyetimi, Berisha nuk duhej liruar dhe deri sa kjo ndodhi, ose ka ardhur si rezultat i rikthimit të drejtësisë në binarë ose përndryshe nga ndërhyrje balancuese që e tejkalojnë Ramën?
Natyrisht që këto pikpyetje kërkojnë një përgjigje.
Dhe pikërisht këtu në ndihmë na vjen e shkuara e afërt, si instrument për të kuptuar të tashmen, apo parashikuar të ardhmen. A nuk u ngritën të njëjtat dilema, si këto më sipër edhe kur shumicës dërrmuese në PD, iu dha vula që i takonte në mënyrë ulëritëse? Ama po të mendohesh pak vëren se opozita mori diçka me të drejtë, ndërsa nga ana tjetër, u desh të “dorëzonte” liderin e saj”.
Sot, ndonëse ka dhe Berishën të lirë edhe vulën, falë prokurorëve dhe gjykatësve, ka humbur një nga fitoret e pakta, atë të Himarës, s’ka në radhët e veta Salianjin, thjeshtë se denoncoi një trafikant dhe do futet në koalicion me një ish-LSI të telendisur, shkatërrimi i së cilës ka qenë objektiv i Ramës që prej 2017-ës.
Kronologjia e raporteve të opozitës me drejtësinë, këto dy vjet e gjysëm, vëren se ajo ka marrë me mundim atë që i takonte, vetëm pasi ka humbur paraprakisht shumë më tepër.
Prandaj kjo s’ka të bëjë as me reflektim të drejtësisë, as me ndonjë ndryshim ekulibrash nga jashtë. Regjimi nuk është zbutur, ai thjeshte luan me alternim taktikash për të prodhuar rezultate të njëjta.
Pikërisht për këtë, nuk ka vend për iluzione. Përtej naivitetit të militantëve të lumturuar nga çlirimi i idhullit të tyre, në horizont nuk duken gjëra pozitive.
Madje duke ndjekur logjikën e deritanishme, nuk do të ishte çudi që vendimi i sotëm të qe një kompesim për një goditje të re, ose në familjen politike të Berishës, për ta dobësuar ose në atë personale, për ta diskredituar. Taktika: jep lëmoshë me një dorë për të rëmbyer me tjetrën, nuk ka shenja se është ndalur.
Një mburojë e lartë raketore izraelite po “shkon” drejt Evropës, ku kërcënimi rus rritet