zoom

Lajme

Salianji mbetet në burg, Gjykata e Lartë nuk pranon kërkesën për pezullimin e dënimit

Gjykata e Lartë ka rrëzuar kërkesën e Ervin Salianjit për të pezulluar dënimin me burg të dhënë prej tij nga Gjykata e Apelit.

Seanca u zhvillua në dhomë këshillimi, pa praninë e palëve, nga një Kolegj Penal me relator Sokol Binajn dhe anëtarë, Sandër Simonin dhe Ilir Panda.

Në Gjykatën e Lartë Salianji kërkoi pezullimin e ekzekutimit të dënimit ose shtyrjen e tij në kohë për tre muaj, referuar faktit që, është dënuar me vendim të formës së prerë një deputet i Kuvendit, për një denoncim publik të kryer në vitin 2018.

Në kërkimin e tij, ish-deputeti pretendon se zbatimi i vendimit do t’i sillte pasoja shumë të rënda, jo veç humbjen e mandatin, por edhe pengesë për të kandiduar në zgjedhjet e vitit 2025, shkruan A2 CNN.

Të njëjtën kërkesë Salianji e ka depozituar edhe në Gjykatën e Tiranës. Ish-deputeti shkoi në burgun e Fierit një javë më parë, në zbatim të vendimit të Apelit, që la në fuqi dënimin me 1 vit burg ndaj tij për akuzën e “kallëzimit të rremë”, në bashkëpunim, në dosjen “Babalja”.