Aplikacion
Në fjalën e tij nga foltorja e Kuvendit, Salianji u shpreh se nga operacionet e policisë nuk arrestohen drejtuesit e grupeve kriminale por shpërndarësit e drogës.
Salianji foli edhe në lidhje me rastin kur bashkëshorti i ministres Ibrahimaj plagosi vartësin e të shoqes, duke iu drejtuar ministrit Balla që të distancohet nga deklarata e Tonin Vocajt. Ai e pyeti Ballën nëse ka ministra të qeverisë që përdorin aplikacionin e koduar SKY ECC dhe flasin me narkotrafikantët.
“Pavarësisht ikjes dhe ardhjes së ministrave të Brendshëm, e njëjta situatë është në Policinë e Shtetit. “Për të luftuar krimin e bashkëpunuar nuk punojmë dot me policinë e Shtetit, për shkak të inkriminimit”. Kjo ishte deklarata e kreut të SPAK. Cilat janë masat që ka marrë qeveria për të frenuar krimin e organizuar. A keni shifra, sa ka qenë kostoja në këto 8 vite që na miratimi dhe sa është numri i punonjësve që janë betuar në kuadër të ligjit të vettigut. A ka ministra në dijeninë tuaj që përdornin telefonat Sky?
Ngjarje e rëndë e pa raportuar është që bashkëshorti i një ministre, i bën një punonjësi të ministrisë së Financave, për shkak të pozicionit të punës, që i kërkon që të dorëhiqet. Ju duhet të distancoheni nga deklarata e Vocajt. Ai tha se nuk ishte kapur personi që bëri krimin, por nuk është kapur as sot. Përfshirja e Policisë me krimin, duket sikur sovraniteti i është lëshuar bandave”, tha ai.
Kurse ministri i Brendshëm Taulant Balla, në fjalën e tij në interpelancën e thirrur nga deputeti Ervin Salianji, tha se sot Shqipëria është një nga vendet më të sigurta për turistët. Më tej ai foli në lidhje me luftën ndaj krimit të organizuar, ku ka njoftuar arrestimin e dy personazheve të njohur të krimit në Itali e Spanjë, ku pritet edhe ekstradimi i tyre. Por nuk dha shpjegime për pyetjet e ndjeshme nga Salianji.
“Kam nderin të jem ministër i Brendshëm prej 300 ditësh. Lajmi më i përhapur sot është certifikimi ynë si destinacion i sigurt turistik, i është pastruar një herë e përgjithmonë vendit imazhi i së shkuarës. Turistët fjala e parë që thonë është që u pëlqen siguria. Flasim për turistë nga vend që sigurinë e kanë të lartë. Janë turistë që ndihen të sigurt në vendin tonë.
Lufta kundër krimit të organizuar është prioritet i kësaj qeverie. Sapo janë arrestuar dy personazhe të botës së krimit, dhe do të ekstradohen nga Italia dhe Spanja. 2023 shënon vitin me shifrat më të ulëta të vrasjeve në 30 vite”, tha ai. /ZOOM.AL/