zoom

Aktualitet

Salianji denoncon skandalin: Sistemi TIMS u hakua dhe gjendet në një faqe online. U fshinë të dhëna

Pas mbledhjes maratonë që zgjati 12 orë dhe u mbyll vetëm në orën 03:30 të mëngjesit të sotëm, ku u pyetën ministri Taulant Balla, kryepolici Muhamet Rrumbullaku dhe ish-kreu i sistemit të sigurisë, kryetari i Komisionit Hetimor të TIMS, Ervin Salianji ka publikuar sot fakte tronditëse.

Gjatë konferencës për mediat që po mban ai ka deklaruar se sistemi TIMS ka qenë i pasigurt, madje gjendet lehtë edhe në një faqe interneti online, nga ku mund të hysh pa asnjë pengesë.

Salianji akuzoi mazhorancën se tentoi të bllokonte aktivitetin hetimor të Komisionit, për të mos u zbuluar paligjshmëritë dhe ndërhyrjet.

“Ka pasur ndërhyrje në sistemin TIMS të paautorizuara apo për të abuzuar. Mazhoranca u mundua të mbulonte paligjshmëritë dhe në sistem nuk ka pasur siguri”, tha Salianji ndër të tjera.

Salianji deklaroi:

“Pas hakerimit, sistemi TIMS gjendet online, në një web të paligjshëm dhe gjenden të dhënat e qytetarëve aty. Kam kërkuar një mbledhje urgjente me kolegët e komisionit të sigurisë, sepse jemi në kushtet e cenimit të rëndë të sigurisë kombëtare. Ju them me bindje dhe dokumente që janë adminisstruar që në sistemin TIMS ka patur akses të paautorizuar dhe po ashtu ju them që ka pasur persona që pavarësisht se fusnin dokumentet në sistem, sistemi për personat në kërkim nuk i nxirrte ç’ka lë dyshime të arsyeshme që mund të jenë përdorur nga persona me rekorde kriminale.Sot del që janë online.

Kjo është logjika skandaloze e të gjithë kësaj çështje. Ky shtet që duhet t’i kishte sistemet sensitive të sigurta, i ka në duar të paautorizuara, të pasigurta. Por e dyta që është po aq skandal, persona të caktuar kanë patur akses të paautorizuar në sistem dhe kanë patur mundësinë që të ndërhyjnë”.

Salianji: Justifikohen me gabim njerëzor, të dhëna llahtar! I shkojmë deri në fund

Më tej Salianji tha se sistemi TIMS nuk përfshin vetëm hyrje-daljet e qytetarëve shqiptarë, por edhe qytetarëve nga vendet partnere. Në këto kushte ai tha se kjo ëhstë arsyeja që ka një sensibilitet të lartë dhe interesim të madh për të zbardhur atë që ka ndodhur.

“Do të bëjmë të pamundurën për t’i shkuar deri në fund kësaj çështjeje, pavarësisht se me vendime të ndërmjetme po pengohemi. Do të bëjmë transparencën deri në fund. Deri më tani në Komision kanë dhënë llogari drejtuesit e Policisë së Shtetit dhe ministri i Brendshëm, që kanë dhënë dëshminë e tyre nën betim, sikundër parashikohet në ligj”, tha Salianji.

Ai u shpreh se është bërë një katrahurë me emërimet, ndërsa më e rënda është se justifikohen me togfjalëshin gabim njerëzor. I pyetur nëse janë fshirë informacione të caktuara nga sistemi TIMS, Salianji u shpreh se të paktën për disa persona është faktuar se sistemi nuk i ka sinjalizuar hyrje-daljet e tyre kur kanë kaluar kufirin, megjithëse kanë qenë në kërkim. Kjo sipas tij do të thotë se kjo mund të jetë bërë për mijëra të tjerë.

“Do të përfundojmë hetimin brenda afateve, që është data 21 korrik dhe të gjitha gjetjet dhe raportin përfundimtar do e çojmë në organet e drejtësisë, SPAK dhe Prokurori i Përgjithshëm, sikundër e parashikon ligji. Nuk ka asnjë sekret shtetëror në dëshmitë e dhëna deri më tani. Të dhënat që morëm nga drejtuesit e Policisë së Shtetit ishin llahtar. Ajo që mund të them është se është keqpërdorur jo vetëm policia e shtetit, por edhe ligji”, tha Salianji. /ZOOM.AL/