Aplikacion
Me një pagë mesatare neto prej 377 eurosh në vendin tonë, sipas shifrave më të fundit publike, shifra prej 86.5 euro taksa për frymë, do të thotë se për një shqiptar mesatar, 23% e pagës shkon si kontribut për shtetin.
Por, a kthehen mbrapsht këto taksa? Nga analiza e të dhënave të shtatorit të këtij viti, rezulton se investimet, pra shpenzimet kapitale, në muaj për qeverinë shqiptare fiksohen në rreth 10.6 mld lekë, ose 87 milionë euro. Për çdo banor të republikës, qeveria shqiptare investon 30.7 euro çdo muaj. Rreth 16.6 euro për frymë janë shpenzimet vetëm për pagat e administrates, 12.3 euro për frymë janë shpenzimet për rindërtimin dhe rreth 8.6 euro për person interesat e borxhit të shtetit shqiptar. Rreth 9.5 euro për frymë ndërkohë janë shpenzimet operative të mirëmbajtjes së administratës dhe çdo hallke që ka lidhje me të. Të 5-ta këto zëra së bashku bëjnë një shumë prej rreth 78 eurosh në muaj. Në total, të gjitha shpenzimet e qeverisë shqiptare në muaj, referuar muajit të fundit në dispozicion, shtatorit, flasin për rreth 46 mld lekë, ose rreth 381 milionë euro, e thënë ndryshe, 134 euro për frymë.
Po biznesi, sa taksa paguan në një muaj? Sipas përllogaritjeve të “Scan Intelligence Unit” bëhet fjalë për një total prej rreth 10.7 miliardë lekësh, ose rreth 88.1 milionë euro. Në këtë shifër janë përfshirë edhe pagesat për kontributet shoqërore dhe shëndetësore të cilat i takojnë punëdhënësit. Në Shqipëri janë aktive rreth 166 mijë biznese, çka do të thotë se mesatarisht secili prej tyre i paguan shtetit në muaj rreth 529 euro. Duhet patur parasysh se taksimi për bizneset varion, me biznesin e vogël që nuk paguan njësoj taksa bizneset e mesme dhe të mëdha, të cilat mbajnë barrën kryesore. Por, gjithsesi, shifra i referohet një mesatare, për të pasur një ide më të saktë, të rolit të biznesit në buxhetin e shtetit. /Scan