zoom

Bota

Rusia bombardon Kievin me raketa, dhjetëra të plagosur

Mbetjet e raketave ruse të rrëzuara prej mbrojtjes ajrore ukrainase, kanë dëmtuar një spital dhe një ndërtesë banimi në kryeqytetin ukrainas Kiev, duke plagosur të paktën 50 persona, kanë thënë autoritetet e qytetit.

Sulmi ka ndodhur teksa presidenti i shtetit, Volodymyr Zelensky ka qenë jashtë vendit, në një vizitë në Uashington, ku presidenti amerikan, Joe Biden, ka paralajmëruar që Rusia po pret që Shtetet e Bashkuara ta braktisin Ukrainën.

Kjo shifër përbën numrin më të madh të të plagosurve në Kiev, në muajt e fundit. Sergiy Popko, udhëheqës i administratës ushtarake të qytetit, ka thënë se 50 persona janë plagosur, përfshirë gjashtë fëmijë. Mbrojtja ajrore ukrainase ka thënë se Rusia i ka nisur 10 raketa drejt Kievit, të cilat janë rrëzuar. Gazetarët kanë raportuar për shpërthime dhe lëshim të sirenave.

Kryetari i Kievit Vitali Klitschko, ka thënë se si pasojë e mbetjeve të raketave është dëmtuar edhe një rrjet i furnizimit me ujë. Lufta e plotë e Rusisë në Ukrainë ka nisur më 24 shkurt 2022. Presidenti rus Vladimir Putin e quan luftën si “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën.

Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra. Si pasojë e luftës kanë vdekur mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre. /ZOOM.AL/